Një e burgosur izraelite e cila u lirua nga Gaza këtë javë shkroi një letër ku lavdëron trajtimin e mirë të anëtarëve të Brigadave Al-Qassam, krahut të armatosur të Hamasit, duke thënë se vajza e saj e robëruar “ndihej si mbretëreshë”.

Letra, të cilën brigadat e publikuan të hënën mbrëma, u shkrua nga Danielle Aloni në emër të saj dhe vajzës së saj Emilie, 5 vjeç, që u liruan më 24 nëntor në kuadër të marrëveshjes së pauzës humanitare në Gaza midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

Në letrën që mban datën 23 nëntor, Aloni shkruante se Emilia ka thënë se rrëmbyesit ishin “si prindër” për të dhe se ajo “ndihej sikur të gjithë ju ishit miqtë e saj”.

“Faleminderit për orët e shumta që kaluat si kujdestar. Fëmijët nuk duhet të jenë në robëri, por falë jush dhe njerëzve të tjerë dashamirës që takuam gjatë rrugës, vajza ime u ndie si mbretëreshë në Gaza”, ka shkruar Aloni.

Ajo tha gjithashtu se trajtimi që mori vajza e saj “nuk la traumë të përhershme psikologjike”.

“Do të doja të ishim vërtet miq të mirë në këtë botë”, shkroi ajo, duke shprehur urimet e saj të mira për banorët e Gazës:

“Ju uroj të gjithëve shëndet dhe mirëqenie…shëndet dhe dashuri për ju dhe fëmijët e familjeve tuaja”.

Pauza humanitare katërditore midis Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi të premten, më 24 nëntor, në orën 7:00 të mëngjesit me orën lokale.

Sipas marrëveshjes, 150 palestinezë në burgjet izraelite u liruan në këmbim të 50 të burgosurve izraelitë që mbaheshin nga Hamasi. Lirimi i të burgosurve u bë në katër seri gjatë pushimit humanitar katërditor, i cili të hënën vonë u zgjat edhe për dy ditë të tjera.

Izraeli nisi sulme brutale në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Më shumë se 15.000 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori. Në Izrael, numri zyrtar i të vrarëve është 1.200.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re