Skip to content

“Letra” false, kryetarja e Bashkisë Bulqizë shkarkon vëllanë pas arrestimit nga policia

WhatsApp Image 2023 12 21 at 5.12.56 PM

Vetëm pak orë pas arrestimit të tre zyrtarëve të Bashkisë Bulqizë, është mbledhur urgjent Këshilli Bashkiak, duke shkarkuar Luan Mjeshtrin, vëllai i kryebashkiakes së Bulqizës, Festime Mjeshtri.

Vëllai i kryetares së Bashkisë Bulqizë u arrestua këtë të enjte, pasi akuzohet se siguronte vërtetime të rreme për persona të ndryshëm sikur ishin banorë të Ostrenit, në mënyrë që ata të pajiseshin me ‘letra’ bullgare.

Arrestimi i tij ka sjellë edhe diskutime mes përfaqësuesëve të opozitës e mazhorancës në Këshillin Bashkiak të Bulqizës. Këshilltarët e djathtë kërkuan që Këshilli bashkiak të dalë me një kërkesë zyrtare ndaj Këshillit të Ministrave për të shkarkuar nga detyra Kryebashkiaken, Festime Mjeshtri me arsyetimin e shpërdorimit të detyrës në shkelje të ligjit të konfliktit të interesit, pasi Luan Mjeshtri rezulton të jetë vëllai i saj. Por ky propozim nuk gjeti miratimin e të gjithë anëtarëve të pranishëm.

Ndërkohë, mësohet se pas arrestimit, kryetarja e Bashkisë Bulqizë ka bërë shkarkimin nga detyra e Administratorit të Ostrenit për Luan Mjeshtrin dhe Arlin Limanin specialist i shërbimit social pranë Njësisë Administrative Ostren.//