Presidenti Ilir Meta i ka dërguar në letër kryeparlamentarit Gramoz Ruçit sa i përket propozimit të dr. Arben Shehut në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në këtë letër presidenti kërkon që ta shqyrtojë me përgjegjshmëri kandidaturën e Arben Shehut dhe të mos veprohet politikisht si me tre kandidaturat e tjera, duke paralajmëruar edhe kapjen e institucionit të KLSH-së.

“Është për t’u evidentuar se letra e Kryetarit të Kuvendit është shoqëruar me një fushatë publiciteti në media nga Kuvendi mbi nismën ligjore që ky i fundit do të ndërmarrë për miratimin e një projektligji, përmes të cilit do të bëhet i mundur emërimi me ligj i një Zëvendëskryetari të KLSH-së, duke e justifikuar këtë si zhbllokim të situatës. Është e qartë se e gjithë kjo veprimtari, e shoqëruar me këtë fushatë publiciteti, ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit të Republikës me qëllim që të propozojë për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca”, thuhet në letrën e drejtuar kryeprlamentarit Ruçi.

Për numrin një të shtetit shqiptar, ky veprim i Kuvendit tregon mungesë vullneti për bashkëpunim me Presidentin e Republikës dhe reflekton të njëjtën qasje të legjislativit të shfaqur përgjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku përmes miratimit të ligjit antikushtetues nr. 14/2020  “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, u synua që t’i rrëmbehej kompetenca kushtetuese Presidentit për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetues, drejtpërdrejtë me ligj me efekt prapaveprues.

Ky ligj u kthye për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës dhe gjithashtu është kritikuar në të gjitha draft-opinionet që Komisioni i Venecias ka hartuar për trajtimin e kësaj çështje të kërkuar nga vetë Kuvendi i Shqipërisë më 30 dhjetor 2019.

Duke ngritur shqetësimin për mos funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, presidenti ngre edhenjë shqetësim tjetër për atë çfarë ka paralajmëruar mazhoranca për ndryshimin e ligjit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke caktuar një nënkryetar të KLSH-së.

“Ndaj çdo veprimtari e mëtejshme nën këtë drejtim me paraqitje nismash legjislative, me qëllim kapjen e institucioneve të pavaruara apo ushtrimin e presionit politik ndaj institucioneve të tjera, nuk bën gjë tjetër veçse provon faktin që tre kandidaturat e mëparshme të propozuara nga Presidenti i Republikës, janë rrëzuar pa të drejtë nga Kuvendi, me qëllim që të propozohet një kandidaturë që gëzon mbështetjen e mazhorancës në mënyrë që mazhoranca të kontrollojë po veten e saj?!”, shprehet presidenti. Sipas tij, nëse vijohet në drejtimin për kapjen e institucioneve të pavarura, tregues se 3 kandidatët për KLSH u rrëzuan pa të drejtë

Kandidatura e Shehut

Duke i kujtuar mazhorancës se zgjedhje e kreut të KLSH-së, është një kompetencë ekskluzive e tij, sipas Kushtetutës, Meta kërkon që veprohet me kujdes për sa i përket procesit të shqyrtimit të kandidaturave.

“Presidenti i Republikës vlerëson me shumë kujdes integritetin e kandidaturës së propozuar, në mënyrë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të funksionojë në mënyrë të pavarur e të pandikuar politikisht. Për këtë arsye, është me rëndësi si përmbushja e kërkesave ligjore për zgjedhjen në këtë pozicion kushtetues, por dhe përzgjedhja e një kandidature që ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin e këtij funksioni shumë të rëndësishëm në mënyrë të pavarur. Presidenti i Republikës i risjell në vëmendje Kuvendit të Shqipërisë se mosplotësimi i pozicionit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike”, shprehet kreu i shtetit.

Sakaq, Meta vlerëson kandidaturën e propozuar. “Dr. Arben Shehu është diplomuar jurist dhe është një ndër njohësit më të mirë të së drejtës penale. Dr. Shehu është gjithashtu i diplomuar edhe në fushën e administrimit të biznesit, me një përvojë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv edhe i profesionit të avokatisë”, shprehet Meta.

Presidenti gjithashtu bën të ditur se i ka kërkuar Bujar Leskajt që të qëndrojë në detyrë deri sa të zgjidhet pasardhësi i tij. “Shpresoj se Kuvendi i Shqipërisë do ta shqyrtojë këtë candidature të (Arben Shehut)  brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe me përgjegjshmëri, në mënyrë që institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit të funksionojë në përmbushje të plotë të detyrave të tij kushtetuese e ligjore. Ndërkohë po sot, i kam kërkuar Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotit Bujar Leskaj që të qëndrojë në lartësinë e detyrës, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri dhe të mos i bindet asnjë urdhri për uzurpimin e këtij pozicioni kushtetues”, shprehet Meta. LETRA E PLOTË Letra e presidentit

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re