Mustafa Çeriç, një ndër klerikët muslimane më me peshë në Ballkan, ish-kreu i Bashkisë Islame të Bosnjës nga viti 1993 e deri në vitin 2012, një figurë dhe me dimension politik, i ka përcjellë një letër të hapur kryemnistrit të Kosoës Ramush Haradinaj, ku i ankohet për vendimin e tarifimit 100 edhe të mallrave të importuara nga Bosnja, post atyre nga Serbia. Për Çeriç, nuk është e denjë të vësh shenjë barazimi mes dy vendeve. Vërtet Bosnja nuk e ka njohur Kosovën, por për Mustafa Çeriç, vetë boshnjakët e njohin atë.

“I nderuar Kryeministër Haradinaj, me përshëndetjen e bukur boshnjake të paqes dhe miqësisë për ju, qeverinë tuaj dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pranoni shprehjen e respektit të çdo boshnjaku, të cilët njohin Republikën e pavarur të Kosovës” e nis letrën e tij Çeriç, ku shpreh keqardhjen se përse Bosnja, në terma shtetërorë nuk e njeh Kosovën.

“Boshnjakët e mirë janë të turpëruar për shkak të kësaj, por janë të pafuqishëm për të ndrequr turpin e tyre, sepse ata janë pengje të politikës serbe, e cila nuk heq dorë prej hegjemonisë së saj në Ballkan pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. E gjitha ka filluar në Kosovë, por çdo gjë është ende në vazhdim e sipër në Bosnjë dhe rreth Bosnjes.

Politika serbe jo vetëm që nuk e njeh vendimin e plotë të një gjykate ndërkombëtare mbi genocidin e kryera në Bosnje, por për këtë krim edhe krenohet publikisht duke i trajtuar kriminelët e luftës si heronj kombëtarë, si model për një brez të ri. Politika serbe në Bosnje, me mbështetjen e Beogradit nuk e kundërshton shtetin boshnjak vetëm në të drejtën për të njohur shtetin e pavarur të Kosovës, por sfidon dhe të drejtat e vetë boshnjakëve”, shprehet kleriku i njohur.

Sipas tij, Haradinaj duhet të shohë më thellë në vendimin e tij për ndëshkuar me taksë doganore edhe Bosnjën.

“Arsyeja që po ju shkruaj është vendimi juaj për të vendosur një detyrim 100% në produktet e importit nga Serbia dhe Bosnja. Ju, sigurisht, keni të drejtë për këtë vendim të njëanshëm. Dhe, më e rëndësishmja, ju keni fuqinë e shtetit për ta bërë atë pavarësisht nga Beogradi. Sepse Kosova nuk është pararoja e Serbisë. Për fat të keq, Bosnja nuk ka të drejtë njerëzore apo fuqi shtetërore për të njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, sepse nuk e lejon Beogradin. Sepse Bosnja është një shtet vasal i Serbisë, pavarësisht, ose për shkak të gjenocidit serb”, shprehet Mustafa Çeriç.

Si shton më tej se qasja e Kosovës ndaj Bosnjës, duhet të jetë ajë që vetë boshnjakët kanë ndaj kosovarëve. Ndaj dhe tarifa duhet hequr.

“Ju duhet ta dini se shteti boshnjak nuk ka vendimet e veta për ndonjë çështje në Kosovë. Por dua që ju të dini se shumica e popullatës boshnjake njeh shtetin e pavarur të Kosovës dhe kultivon jo vetëm ndjenjat miqësore, por edhe familjare ndaj Kosovës”, thekson Çeriç.

Kleriku e mbyll letrën e tij duke mos e pranuar që Serbia e Bosnja të maten me një kut.

“Identifikimi i Bosnjës me Serbinë është një fyerje e poshtërim i madh për të gjithë boshnjakët e mirë, por edhe për të gjithë shqiptarët e mirë në Bosnjë dhe të gjithë boshnjakët e mirë në Kosovë.

I nderuar Kryeministër Haradinaj, unë nuk kam asnjë argument për mbrojtjen e politikës shtetërore të Bosnjës ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, përveç keqardhjes se Bosnja nuk është në gjendje për të hequr qafe zgjedhën serbe”, shkruan boshnjaku i njohur Mustafa Çeriç.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re