Prej ditësh, ata janë kryelajm në mediat shqiptare. Nënë e bir, Rezarta e Havier Dobi, dolën të ishin grabitës të shumave të mëdha të parave, në familjet ku ajo punonte si pastruese, ndërsa i biri gëzonte me makina luksoze atë çfarë e ëma vidhte. Fjala është për një shumë prej 400 mijë euro, të grabitura ndoshta në shumë banesa ku shërbente, por që e përqëndruar në një, në atë të shtetases Alda Klosi, një ish-vartëse e ministrit Ahmetaj.

Interesante është një letër që i riu i dërgon të atit nga pas hekurave, ku rrëfen dramën që po përjeton në qeli.

“Babai im i dashur, jam shumë mirë. Mos u bëj merak. Duhet të jesh sa më i qetë. E mora letrën që kishe shkruar dhe m’u mbushën sytë me lot, m’u shkatërrua zemra.

Të lutem, të lutem me zemër që të bësh gjithçka që të më nxjerrësh, të lutem. Jam bërë si mos më keq, nuk dua veten time. Më vjen të vras veten.

Po të lutem të bësh çdo gjë, nuk rri dot më. Dhe mamit nuk do ia falja kurrë këtë gjë. Mos u bëj merak, ju dua shumë. Do dal vetëm për ju”, shkruan i riu Havier Dobi për të atin, i cili nga ana e tij nuk dinte asgjë se ç’punë të ulët bënte ai dhe e shoqja.

Në një tjetër zhvillim, gjykata ka lënë në burg Rozeta dhe Havier Dobin, duke i akuzuar për vjedhjen e mbi 400 mijë eurove.

Interesant është teksti i letrës, ku Havier Dobit i vjen të vrasë veten nga ajo që ka bërë, nga e cila ka përfunduar i poshtëruar në burg.

Ai tashmë vlen si mësim për ata që kanë zgjedhur të jetojnë me vjedhje, në forma nga më të ndryshme, por në thelb vjedhje. Dhe këtu veçohen njerëzit me pushtet, zyrtarët, ata që fusin në xhepat e tyre paranë publike. Dhe mësimi është ky: sido që të jetë, herët a vonë, do të të vijë një ditë që pendohesh dhe të kesh dëshirë për t’ja dhënë vetes. Me gjuhë populli, do të të dalë për hundësh ajo që kë ngrënë padrejtësisht, s’ka diskutim. /tesheshi.com/   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re