Fakte të tjera komprometuese rreth skandalit Duty Free. Bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, përmes administratorit që ka vendosur në krye të kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution, Erjon Hastoçi, ka ushtruar presion me letra ndaj kompanisë koncesionare TIA, që menaxhon Aeroportin e Rinasit, për të kontrolluar me çdo kusht hapësirat Duty Free në aeroport, për shitjen e mallrave pa taksa. Pasi është njoftuar nga TIA në datën 22 shkurt 2019 se ka humbur tenderin për menaxhimin e dyqaneve pa taksa në Rinas, në datën 17 maj 2019, administratori i kompanisë së gruas së Gjin Gjonit i ka dërguar një letër TIA-s, në të cilën thotë se Albania Duty Free Distribution e merr licencën më shpejt se sa kompanitë e tjera.

Kjo letër e siguruar nga Shqiptarja.com konfirmon influencat e çiftit Gjin Gjoni-Elona Çaushi mbi strukturat shtetërore, por edhe vendimin e tyre për të mos lëshuar ambientet e TIA-s në Rinas, edhe pse tenderin e kishte fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e mirënjohur dhe me eksperiencë në këtë fushë, ndërsa kompania e Çaushit kishte rezultuar humbëse. Në letër thuhet se për Albania Duty Free Distribution është shumë e lehtë për të marrë një licencë për aktivitetin Duty Free në një kohë të shpejtë, ndërsa kompanive të tjera u duhen gjashtë muaj. “Siç e kemi theksuar dhe më parë, për sa i përket ligjit, ne posedojmë licencën dhe për ne është shumë e lehtë dhe shumë e shpejtë rinovimi formal i licencës. Ndërkohë që nëse vjen një operator tjetër, atij do t’i duhen të paktën 6 muaj për të marrë licencën, gjithmonë në qoftë se dogana ia miraton atë”, thuhet në letër, përmes të cilës bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjonit kërkon t’i imponohet TIA-s për të vijuar biznesin e saj në aeroport.

Paradoksi  

Pse i njëjti ligj qenka ndryshëm i aplikueshëm për Elona Çaushin dhe ndryshe për një operator tjetër? Pse Elona Çaushi e marrka licencën brenda 24 orëve, pavarësisht humbjes së tenderit, mosplotësimit të kushtit kryesor për dhënien e saj atë të një kontrate qeraje, ndërsa kompania amerikane ICDF nuk e marrka megjithëse ka fituar tenderin dhe kontratën e koncesionit për 5 vitet e ardhshme? Pse strukturat e shtetit vepruakan me kaq shpejtësi për hallin e gruas së Gjin Gjonit dhe jo për një kompani tjetër? Si e dinte Elona Çaushi që në muajin maj se çfarë do të ndodhte në gusht? Kush e kishte siguruar atë për marrjen e licencës? A kishte rënë ajo dakot me instancat e Doganës dhe Ministrisë së Financës që mos ta njoftonin sipas ligjit, megjithëse kontrata me TIA Airport i përfundonte me datë 27 gusht 2019?

Megjithatë, ashtu ndodhi vërtet. Pavarësisht se kusht kryesor për marrjen e licencës është kontrata e qerasë me aeroportin, Elona Çaushi arrin të marrë licencën duke vënë në rresht Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Ministrinë e Financave në kulmin e pushimeve verore. Siç edhe e kishte parashikuar në komunikimet me TIA-n, kompania e Elona Çaushit arriti të rinovonte licencën brenda 24 orëve nga protokollimi i kërkesës në Ministrinë e Financave si dhe një vendim arbitrar nga gjyqtarja Mimoza Kajo-Brahimi. Me 15 gusht 2019 protokollohet kërkesa, ndërsa me 16 gusht rinovohet licenca nga zv/ministri i Financave Elton Haxhi.

Letra tjetër

Katër ditë pasi ka marrë rinovimin e licencës, pikërisht në 20 gusht 2019, administratori kompanisë së gruas së Gjin Gjonit, Erjon Hastoçi, i dërgon një letër tjetër kompanisë koncesionare TIA, që menaxhon Aeroportin e Rinasit, ku thekson se Albania Duty Free Distribution e ka licencën. Letra është dërguar në një kohë kur TIA kishte firmosur një kontratë që në korrik me kompaninë amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e cila kishte fituar tenderin për menaxhimin e hapësirave. “Siç iu kemi informuar në letrën e datës 30.07.2019, sa i përket licencës, ne ishim 100 % të sigurt se ne e kemi licencën edhe për 5 vitet e ardhshme për të njëjtin ambient”, thuhet në krye të letrës.

Konflikti

Konflikti mes kompanisë koncesionare TIA dhe kompanisë së gruas së Gjin Gjonit ka çuar në mbylljen pa afat të ambienteve Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Tenderin e shpallur nga TIA për zhvillimin e këtij aktiviteti e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), por nga ana tjetër Albania Duty Free Distribution e Elona Çaushit ka siguruar një vendim gjykate për të vijuar këtë aktivitet, në të njëjtin vend, kundër vullnetit të TIA. Kompanisë së Elona Çaushit i ka mbaruar kontrata me TIA që në 27 gusht 2019. Nga ana tjetër, TIA ka firmosur kontratën ICDF më 31 korrik 2019. Me datë 15 shtator, sipas kontratës, ICDF duhet të merrte në dorëzim ambientet. Tirana International Airport e konsideron marrëveshjen me ADFD-në të përfunduar pa asnjë kthim mbrapa dhe me të drejtat e saj legjitime, duke zbatuar çdo rregullore të brendshme apo të shtetit ku operon, TIA kërkon t’i japë fund kësaj loje të shëmtuar e të pakuptimtë, që është e humbur nga ana e ADFD-së, por po zgjat mjaftueshëm për t’i treguar ICDF-së dhe kompanive të tjera ndërkombëtare, që në investime të ardhshme të hedhin sytë në Maqedoni apo Mal të Zi, atje ku “Maliqët” nuk janë mbi ligjin, ku bizneset kuptojnë që në një garë ka dhe humbës, dhe për më tepër, aty ku qytetarët ndihmojnë dhe nuk pengojnë dot rritjen ekonomike të një vendi.

Letra

Në letër thuhet se për Albania Duty Free Distribution është shumë e thjeshtë për të marrë një licencë për aktivitetin Duty Free në një kohë të shpejtë, ndërsa kompanive të tjera u duhen gjashtë muaj.

Paradoksi  

Pse i njëjti ligj qenka ndryshëm i aplikueshëm për Elona Çaushin dhe ndryshe për një operator tjetër? Pse Elona Çaushin e marrka licencën brenda 24 orëve, pavarësisht humbjes së tenderit, ndërsa kompania amerikane ICDF nuk e marrka megjithëse ka fituar tenderin?

Vihet në lëvizje Ministria e Financave

Auditi i brendshëm në Ministrinë e Financave po verifikon ligjshmërinë e veprimtarisë së degës doganore në Rinas (aeroport), e cila monitoron edhe veprimtarinë tregtare në hapësirën Duty Free të aeroportit. Po sipas burimeve mësohet se, gjatë verifikimeve, kontrolli i ministrisë ka konstatuar një sërë problematikash dhe shkeljes, ku për rrjedhojë janë propozuar disa masa administrative. Ndërkaq, Drejtoria Ligjore në Ministrinë e Financave po verifikon ligjshmërinë e procedurave të ndjekura për rinovimin e licencës së kompanisë së gruas së Gjin Gjonit, Elona Çaushi (Albania Duty Free Distribution), për të vijuar aktivitetin tregtar në Rinas, në një kohë kur tenderin për të ushtruar këtë për menaxhimin e së njëjtës hapësirë “Duty Free” në aeroport për 5 vitet e ardhshme e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF). Verifikimet po kryhen nëse ka pasur apo jo shkelje në vendimin për rinovimin e licencës, çka ka thelluar më tej konfliktin mes gruas së Gjin Gjonit dhe kompanisë koncesionare TIA, e cila ka një kontratë me shtetin shqiptar për menaxhimin e Aeroportit të Rinasit. Në mungesë së ministres së Financave Anila Denaj, licenca është firmosur nga zëvendësministri Elton Haxhi, në 16 gusht, pikërisht në kulmin e pushimeve verore dhe brenda 24 orëve pasi është bërë aplikimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Financave. Rinovimi i licencës me sa duket është bërë mbi bazën e vendimit të gjyqtares Mimoza Kajo-Brahimi.

Shqiptarja.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re