Kryeministri Edi Rama do të takojë sot në mbrëmje kryetarët e partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Takimi do të zhvillohet në Tiranë, në ambientet e vilës qeveritare 30 dhe e vetmja parti që ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë është “Lëvizja Besa”.

 

Kreu i kësaj partie Bilall Kasami në një lidhje live për edicionin e lajmeve në Vizion Plus dha arsyet pse e bojkotoi këtë takim.

 

“E refuzuam që të jemi pjesë e këtij takimi sepse vlerësojmë se ky takim nuk iu shërben shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por më shumë i shërben lidershipit të Bashkimit Demokratik për Integrim, parti e shqiptarëve në qeveri për më shumë se 20 vite. Ne vlerësojmë se shkaku i turbulencave të fuqishme brenda këtij subjekti politik, ku funksionarë të lartë të saj nga nënkryetari, kryetari i këshillit mbikqyrës të partisë si dhe shumë ministra e deputetë e funksionar të tjerë kanë dalë hapur kundër lidershipit të partisë. Një situatë e palakmueshme për BDI dhe për të defokusuar opinionin në Maqedoninë e Veriut vlerësojmë se zhvilohet ky takim sot në Tiranë”, tha ai.

 

Kasami shtoi se një takim i tillë është mbajtur edhe para 7 vuteve, por sipas tij nuk ka pasur asnjë diskutim për të vlerësuar rezultatet e deklaratave që u nënshkruan asokohe.

 

“Ne vlerësojmë që njësoj si herën e parë kur u thirr një takim para gati 7 viteve në Tiranë kur u nënshkrua një deklaratë e partive shqiptare ku një mekanizëm për përcjelljen e implementimit të pikave të deklaratës ishte dhe tryezë e paretive shqiptare, tryezë e cila kurrë nuk u jetësua. Nga ai moment edhe deri më sot, kryeministri nuk e ka parë të arsyeshme që të ulë partitë shqiptare që të vlerësojë rezultatet e implementimit të asaj deklarate. Deri sot nuk ka pasur llogaridhënie se çfarë është arritur nga ai dakodrësim. Derisa nuk kemi nëj llogari dhënie se ccfarë është bërë nga ajo marrëveshje, vlerësojmë se nuk është koha dhe momenti që të flasim për çështje të tjera”.

 

I pyetur nëse ka vërtet një komunikim me Kryeministrinë për një takim me Ramën, Kasami e pohoi një gjë të tillë. Ai tha se është i hapur për takime me Tiranën dhe Prishtinën për interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

 

“Ne kemi qenë në komunikim me koordinatorin e këtij takimi nga ana e Kryeministrisë dhe kemi treguar gatishmëri për tu ulur. Ne jemi të interesuar për të bashkërenduar mendimet tona politike si parti e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me Tiranën dhe Prishtinën. Në këtë drejtim jemi të gatshëm të ulemi të diskutojmë me kryeministrin dhe presidentin për interesat e shqiptarëve”, tha ai.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re