Skip to content

Lëvizja e paimagjinueshme e Kurtit për të vijuar në pushtet

Askush nuk e kishte menduar një lëvizje të fundit të Albin Kurtit, mjaft që Vetëvendosja e tij të vijojë qeverisjen. I pamandatuar dot nga parlamenti për të vijuar si kryeministër, Kurti tha se ka përzgjedhur zëvëndësin e tij, Glauk Konjufcën, si mandatar për krijimin e qeverisë së re.

Kurti e kumtoi këtë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, duke arsyetuar se propozimin e Konjufcës e bëri për shkak të vlerësimit dhe besimit të madh që ka për të.

“Unë dua të bëj një propozim të menduar mirë, e bëj jo për të bërë një lajm. Kemi ofruar mundësi për zgjedhje qysh në qershor, kur e pamë se nuk duan bashkëpunim. Kemi marrë refuzimin e ftesave për bashkëpunim, gjersa na kanë bërë të pamundur çdo qeverisje në koalicion me ta. Po ia japim mundësinë opozitës që t’i kursejë vendit dy palë zgjedhje, sepse mjafton njëherë të shkohet në zgjedhje në prill kur vjen çështja e zgjedhjes së presidentit. Jemi gati për zgjedhje sot, edhe në dhjetor, edhe më shumë gati në prill, por po e japim këtë mundësi si zgjedhje për këtë bllokim të kotë që është bërë”, tha Kurti.

Po vetë ai çfarë do jetë në kabinetin e mundshëm “Konjufca”? Do jetë ministër i Jashtëm, pra ndërrim vendesh, siç dhe vetë e tha:

“Unë marr vendin e Glaukut dhe Glauku timin. Le të votojmë buxhetin, plani i rritjes, le të bëhen disa punë të domosdoshme”.

Tashmë pritet qëndrimi i partive opozitare ndaj kësaj lëvizjeje të Kurtit, ndërkohë që të mërkurën më 5 nëntor skadon afati kur presidentja Vjosa Osmani do të vendosë nëse do të mandatojë ndonjë mandatar për kryeministër apo do të shpërndajë Kuvendin për t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja. /tesheshi.com/