Lëvizja palestineze “Xhihadi Islamik” njoftoi se kishte lëshuar më shumë se 100 raketa nga Rripi i Gazës në qytetet izraelite në përgjigje të vrasjes së një prej liderëve të saj më të lartë nga forcat izraelite.

“Si përgjigje ndaj krimit të vrasjes së Al-Jabarit dhe shokëve të tij, Saraya al-Quds bombardoi Tel Avivin dhe qytetet e tjera me më shumë se 100 raketa”, tha krahu i armatosur i lëvizjes.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se sirenat paralajmëruese u dëgjuan në disa zona në jug të Izraelit, ndërsa mediat lokale raportuan se sirenat u dëgjuan edhe në disa qytete afër Tel Avivit, në pjesën qendrore të Izraelit.

Ekipi i AA-së në Gaza raportoi se dhjetëra raketa u panë të lëshoheshin drejt zonave izraelite.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se kishte nisur sulmet ajrore ndaj objektivave të lëvizjes “Xhihadi Islamik” në Rripin e Gazës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, në sulmet izraelite u vranë 10 palestinezë, përfshirë një vajzë 5-vjeçare.

Tensionet e fundit filluan të hënën e kaluar pasi Izraeli arrestoi Bassam al-Saadin, liderin e lëvizjes “Xhihadi Islamik”, në kampin e refugjatëve Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor.

Të martën, Izraeli njoftoi një sërë masash kundër Rripit të Gazës nga frika e reagimit të lëvizjes “Xhihadi Islamik” pas arrestimit të al-Saadit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re