Historiani dhe ish-ministri Neritan Ceka, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar protestat e të rinjve dhe zhvillimet politike në vend, duke theksuar se lëvizja duhet të kalojë nga protestat në rrugë drejt organizimit politik dhe pjesëmarrjes në zgjedhje.
Ceka u ndal edhe te dhuna policore ndaj protestuesve, duke pretenduar se ndërhyrjet janë të komanduara, ndërsa për zgjedhjet e ardhshme në Tiranë propozoi që lëvizja të dalë me një kandidat të vetëm për kryetar bashkie, të mbështetur edhe nga opozita.
Ceka vlerësoi profilin e të rinjve që marrin pjesë në protesta, duke e krahasuar me pjesëmarrjen në tubimet e partive politike. Sipas tij, protestuesit përfaqësojnë një rini të larmishme, ndërsa në aktivitetet partiake sheh një pjesëmarrje më të uniformizuar.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si policia përballet me protestuesit, duke kujtuar edhe periudhën kur ka qenë ministër i Brendshëm. Ceka deklaroi se nuk e konsideron të zakonshme brutalitetin ndaj qytetarëve dhe pretendoi se ndërhyrjet policore nuk janë thjesht reagime për ruajtjen e rendit, por pjesë e një operacioni të komanduar.
“Unë mendoj se ka qenë e komanduar direkt. Ky është një operacion policor, nuk është një mbrojtje e rendit. Përballja e protestuesit me policinë është diçka normale, por mënyra se si komandohet policia nga njerëz që nuk janë profesionistë, që janë të lidhur dhe kanë frikë se policët mund t’u kthehen edhe atyre, krijon këtë situatë”, u shpreh Ceka.
Ai tha se, pavarësisht episodeve të dhunshme, pjesa më e madhe e protestës ka qenë e qetë dhe e konsideroi lëvizjen një zhvillim me rëndësi për vendin.
Sipas Cekës, sfida kryesore e protestuesve është që të konkretizojnë kërkesat dhe të ndërtojnë një alternativë politike. Ai theksoi se një lëvizje e tillë nuk mund të mbetet pafundësisht në rrugë, por duhet të organizohet dhe të marrë pjesë në zgjedhje.
“Shqipëria tani nuk është ajo që ka qenë. Kjo është një lëvizje politike. Nuk është konkretizuar ende, por një lëvizje e tillë nuk është vetëm ajo që mendojnë ata, por edhe ajo që presin të tjerët prej tyre. Nuk mund të rrijë një lëvizje në rrugë gjithë kohën”, deklaroi ai.
Ceka solli si shembuj lëvizje politike në vende të tjera, duke përmendur Syriza-n në Greqi dhe zhvillimet në Serbi. Sipas tij, modeli që duhet ndjekur është organizimi i lëvizjes dhe hyrja e saj në zgjedhje.
Duke u ndalur te zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, Ceka u shpreh se kandidati duhet të dalë nga lëvizja dhe jo nga partitë tradicionale. Ai kërkoi që opozita të mos nxjerrë një kandidat të veçantë për kryetar bashkie, por të përqendrohet te gara për këshillin bashkiak.
“Zoti e vraftë opozitën në qoftë se del edhe ajo në zgjedhjet e Tiranës me një kandidat të vetin. Tirana duhet të ketë një kandidat të vetëm, ky duhet të vijë nga lëvizja dhe opozita duhet të konkurrojë për këshilltarë, por jo për kryetar të bashkisë”, tha Ceka.
I pyetur se cili do të ishte emri i tij i preferuar mes personave që janë përmendur si kandidatë të mundshëm, ai nuk dha një emër konkret, por përshkroi profilin që, sipas tij, duhet të ketë drejtuesi i ardhshëm i kryeqytetit.
Ceka tha se kandidati nuk duhet të jetë mbi 40 vjeç dhe duhet të jetë një njeri i zakonshëm, i afërt me jetën e qytetarëve, që punon, kujdeset për familjen dhe ka lidhje me komunitetin intelektual e kulturor.
“Pra, është një njeri i cili është njëri nga ne. Ne nuk kemi nevojë për dikë që vjen nga një realitet tjetër”, u shpreh ai, duke përmendur si shembull edhe ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e cilësoi si figurë që ruante një stil të thjeshtë jetese.
Në pjesën e fundit të diskutimit, Ceka u ndal te sistemi politik dhe marrëdhënia mes partive dhe administratës publike. Sipas tij, problemi kryesor nuk është sistemi zgjedhor, por politizimi i administratës dhe kthimi i politikës në një mundësi për përfitime personale.
“E keqja është sistemi politik, ku partia është në biznes. Ata duhet të mendojnë një ligj që përjashton partitë nga administrata. Aq e rëndë është sëmundja në Shqipëri. Administrata është politizuar dhe është biznes. Këtu biznesi më i lehtë është politika”, deklaroi ai.
Ceka kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, funksionon karriera politike në Shqipëri, duke pretenduar se anëtarësimi dhe angazhimi në parti mund të shndërrohen në rrugë për përfitime materiale dhe poste publike.
Ai propozoi gjithashtu që karriera politike të ndërtohet gradualisht, përmes përvojës në këshillat bashkiakë dhe drejtimin e pushtetit vendor, përpara se një person të kandidojë për deputet.
