Edi Rama shkarkon Arben Ahmetajn. Thuajse një vit nga emërimi i tij si numri dy i qeverisë dhe Ministër Shteti për Rindërtimin, Arben Ahmetaj nuk do të mbajë asnjë detyrë në qeverinë “Rama 3”.

 

Karrigen e numrit dy të qeverisë do ta mbajë Belinda Balluku, që përveç se Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë edhe zëvendëskryeministre. Si arsye të këtij ndryshimi në kabinetin qeveritar, Edi Rama, përmend sfidën me të cilën po përballet vendi, energjia.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre. Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin.

 

Largimi i Arben Ahmetaj dhe zëvendësimi me Belinda Ballukun nuk është ndryshimi i vetëm që kryeministri Edi Rama bën me dije në Twitter.

I shkarkuari tjetër është kryenegociatori Zef Mazi. Detyrën e tij, tanimë që vendi ynë nisi zyrtarisht negociatat anëtarësuese për në Bashkimin Evropian do ta ushtrojë Majlinda Dhuka, Drejtorja për Politikat e Zhvillimit dhe Financimet e Ndihmës së Huaj në kryeministri.

 

Përveç si kryengociatore, ajo është emëruar nga kryeministri Edi Rama edhe si Ministre e Shtetit  për çështjet që lidhen drejtpërdrejt me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Tani që prioriteti i rindërtimit ia le vendin prioritetit të negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore dhe Ministre Shteti pranë kryeministrit.

 

Pasi ndryshimet në qeveri u komunikuan nga kryeministri Edi Rama në Twitter, reagimi i parë erdhi nga brenda familjes socialiste. Ish numri dy i qeverisë Erion Braçe duket se i dedikon një postim në facebook Arben Ahmetajt. Mbi foton që tregon perëndimin e diellit, deputeti socialist shkruan “Rreth e rreth përqark, globi rrotullohet. Ditë me ditë rrotullohet”.

 

Kujtojmë se në ditën e fundit si zëvendëskryeministër, Erion Braçe publikoi këtë video ky karrigia ishte e rrëzuar dhe mes të tjerash shkruante se nuk hyri si hajdut dhe nuk doli si hajdut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re