Edhe pse nuk ka vend për panik, Shqipëria i përgjigjet alertit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, për masat në lidhje me përhapjen e Lijës së Majmunit, pasi për shkak të lëvizjes së shumtë në këtë sezon turistik kujdesi duhet shtuar.
“Risku është i ulët për Evropën. Gjithë vala është nga Afrika, nuk është vendi për panik. Kujdesi higjenik personal dhe shenjave klinike, nuk duhet neglizhuar. Kemi një vëzhgim korrekt edhe nga strukturat tona të shëndetit publik”, tha dr e ISHP, Eugena Tomini për TCH.
Ka nisur trajnimi i mjekëve për të identifikuar sa më shpejt nëse do të ketë raste.
“Kemi aktivizuar rrjetin e alertit për të qenë të përgatitur, duke ndërgjegjësuar edhe personelin shëndetësor”, thotë drejtoresha.
Instituti i Shëndetit Publik ka siguruar një sasi prej 100 dozash vaksine ndaj lijës së majmunit, të cilat mund të përdoren për personelin mjekësor ose edhe nëse do të ketë ndonjë qytetar të infektuar apo kontakt të një pacienti me “lijën e majmunit”, në vende ku ka udhëtuar apo pushuar.
Drejtorja e IShP u këshillon qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj higjenës si një masë parandaluese për çdo sëmundje infektive me apo pa lidhje me “lijën e majmunit”.