Gjykatësi që heton shpërthimin e portit të Bejrutit në vitin 2020, vazhdon të sfidojë qeverinë e Libanit duke paditur prokurorin e përgjithshëm të vendit, pasi paditi dy shefa me ndikim të sigurisë një ditë më parë.

Të hënën, për habinë e të gjithëve, Tarek Bitar vendosi të vazhdojë hetimet për shpërthimin në të cilin 200 persona humbën jetën dhe 6500 u plagosën, pas një pauze njëvjeçare, pavarësisht presionit të madh politik ndaj të cilit është i ekspozuar.

“Hetimi në port: Tarek Bitar është çmendur”, ishte kryefjala e së hënës në të përditshmen Al-Akhbar, pranë Hezbollahut të fuqishëm pro-iranian që kontrollon jetën politike në Liban.

Bitar akuzoi Kryeprokurorin e Shtetit Ghassan Oueidet dhe shtatë persona të tjerë, përfshirë tre gjyqtarë, për “vrasje” në gjykatën e apelit, që është rasti i parë i tillë në Liban, tha një zyrtar gjyqësor për AFP.

13 persona u akuzuan

Duke reaguar ndaj aktakuzës, Prokuroria e Shtetit libanez hodhi poshtë të martën të gjitha akuzat e gjyqtarit hetues.

Shpërthimi i madh i 4 gushtit 2020 u shkaktua nga magazinimi jo i duhur i qindra tonëve nitrat amoniumi në port.

Pjesa më e madhe e popullsisë fajësoi korrupsionin dhe neglizhencën nga ana e klasës në pushtet, të cilën familjet e viktimave dhe OJQ-të e akuzojnë për zvarritje të hetimeve për të shmangur paditë.

Gjithsej trembëdhjetë persona u paditën, mes tyre pesë zyrtarë tashmë të paditur nga Bitar, veçanërisht kryeministri Hassan Diab dhe ish-ministra.

Gjyqtari vazhdoi hetimet

Gjykatësi Bitar vendosi seancën e tyre nga 6 deri në 13 shkurt, por Diab, i cili ishte kryeministër në kohën e shpërthimit më 4 gusht 2020, tha se nuk do të paraqitej.

Gjykatësi vendosi të vazhdojë hetimin pasi autoritetet u përpoqën muajt e fundit të emëronin një tjetër gjyqtar në vend të tij.

Të martën, e përditshmja Al Akhbar akuzoi gjyqtarin Bitar se punonte “me urdhra amerikanë dhe me ndihmën juridike evropiane”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “mbështesin autoritetet libaneze dhe u bëjnë thirrje atyre për një hetim të shpejtë dhe transparent”, njoftoi të martën ambasada amerikane në Bejrut në një postim në Twitter.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re