Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë mbështetur miratimin e liberalizimit të vizave për mbajtësit e pasaportave serbe nga Kosova, të lëshuar nga Administrata Koordinuese e Serbisë, njoftoi Tanjug, duke iu referuar Këshillit të BE-së.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper), organi kryesor përgatitor i Këshillit të BE-së, u pajtua me propozimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për ndryshimet në rregulloren për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë, e cila u jep liberalizimin e vizave mbajtësve të këtyre pasaportave.

Kështu thuhet në një letër të dërguar nga Kryetari i Coreper Willem Van de Voorde, kryetarit të Komitetit të Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) Juan Fernando López Aguilar.

Letra shton se, nëse PE miraton qëndrimin e tij në lexim të parë, Këshilli do të miratojë qëndrimin e PE dhe ato akte do të miratohen në një formulim që korrespondon me qëndrimin e PE.

Më 9 prill, Komiteti i PE-së për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme miratoi draft-raportin për liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe nga Kosova, të lëshuar nga Administrata Koordinuese e Serbisë, e cila ishte dorëzuar nga përfaqësuesi i PE-së dhe raportuesi për heqjen e këtyre vizave.

I njëjti regjim për të gjithë Ballkanin

Ky vendim siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të ketë të njëjtin regjim vizash për të udhëtuar drejt BE-së, njoftoi në atë kohë PE.

Serbët e Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, janë të vetmit që kanë ende nevojë për vizë për të hyrë në vendet e BE-së pas heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024.

Në nëntor të vitit 2023, Komisioni Evropian ka propozuar nisjen e procedurës për përfshirjen e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë, përmes liberalizimit të vizave.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re