Prokurori ushtarak i Libisë ka kërkuar që të zbatohen urdhrat për të arrestuar gjeneralin renegat, Khalifa Haftar.

Siipas kanalit televiziv libian Al-Ahrar, Prokuroria Ushtarake e kryesuar nga Mohammed Gharouda i ka përcjellë një mesazh Agjencisë së Hetimit Kriminal duke kërkuar “zbatimin e urdhrave të arrestit të lëshuar nga Prokuroria Publike nga zyrtari kompetent gjyqësor” për pesë raste në periudhën 2019-2020.

Zyra nuk dha më shumë detaje për pesë rastet, por tha se Haftar ka shkelur ligjin ushtarak duke kandiduar për president pasi “Haftar është një oficer në ushtrinë libiane dhe ka kryer procedurat e emërimit për Komisionin e Lartë Kombëtar të Zgjedhjeve”.

Zyra po ashtu theksoi se një shkelje e tillë “dënohet me burgim për një periudhë jo më të gjatë se pesë vjet”.

Gati 100 kandidatë janë regjistruar për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të Libisë më 24 dhjetor, duke përfshirë Haftar-in, kryeministrin e qeverisë kalimtare, Abdul Hamid Dbeibah, ndërsa kandidatura e djalit të ish-udhëheqësit Muammar Gaddafi, Saif al-Islam Gaddafi, u refuzua dje nga një gjykatë libiane për kryerjen e krimeve të luftës.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të zhvillohen sipas një marrëveshjeje të sponsorizuar nga OKB-ja e arritur nga rivalët politikë libianë nëntorin e kaluar.

Afati i fundit i aplikimit për ata që dëshirojnë të kandidojnë për president ishte 22 nëntori. Nominimet për zgjedhjet parlamentare mbeten të hapura deri më 7 dhjetor.

Libianët shpresojnë se zgjedhjet e ardhshme do të ndihmojnë në përfundimin e konfliktit të armatosur që ka pllakosur vendin e pasur me naftë prej vitesh.​​​​​​​

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re