Dy rivalë libianë kanë angazhuar një kompani izraelite të regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për të zhvilluar fushatat e tyre zgjedhore në vendin e shkatërruar nga lufta.

Gazeta “Israel Hayom” shkruan se komandanti luftarak Khalifa Haftar dhe Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-sundimtarit libian Muammar Gaddafi, kontraktuan nëpërmjet agjentëve “një kompani konsulente izraelite për të këshilluar të dy kandidatët”.

Gazeta, duke cituar funksionarë të lartë të Gjirit, tha se djali i Gaddafit nënshkroi kontratën me kompaninë konsulente që drejton fushata të suksesshme në Izrael dhe në botë.

Kompania “më vonë mori një kërkesë nga kandidati tjetër, përmes një modele femër që jeton në Dubai”, shkruan e përditshmja izraelite.

Sipas gazetës, kompania izraelite regjistroi një kompani të re në EBA për të drejtuar dhe administruar të dyja fushatat zgjedhore nëpërmjet “dy entiteteve të veçanta”.

“Të dyja kontratat thuhet se kanë vlerë prej dhjetëra milionë dollarësh”, shkruan “Israel Hayom”.

Nuk pati asnjë koment nga Haftari dhe Saif al-Islam Gaddafi mbi këto pretendime.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Libisë do të mbahen më 24 dhjetor sipas një marrëveshjeje të arritur në Tunizi nga rivalët politikë libianë më 15 nëntor 2020.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re