Skip to content

“Libri është rruga për t’u bërë dikushi” 13 vjeçarja që frekuenton të gjitha bibliotekat e Elbasanit

Hester është 13 vjeçe dhe pasion ka librat. Celulari sot është i domosdoshëm, por Hesteri thotë se i ka dhënë pak kohë qëndrimit me botën virtuale, për t’ja kushtuar shumicën e ditës mësimeve dhe leximit.

13 vjeçarja nga Elbasani është në klasën e 7-të dhe ka lexuar aqsa nuk mban më shënim sesa libra kanë parë sytë e konsumuar mendja.

“Mund të them që gjithçka nisi në vogëlinë time. Kur prindërit kujdeseshin që unë të kisha një dashuri për librin, kur ata më merrnin prej dore që unë të blija librat. Veçanërisht babai i cili më sugjeronte e më blinte dhe libra shkencorë.

Tani telefoni është bërë diçka që duhet, por unë nuk mund të kaloj një kohë të madhe, nuk ia lejoj vetes dot për shkak se unë i kam vënë pika. Them që këtë kohë unë do të përqendrohem në shkollë, do të përqendrohem tek libri sepse ëstë e vetmja rrugë që unë të bëhem dikushi”-thotë 13 vjeçarja në një intervistë për Tch.

Hesteri ka dy motra më të vogla. Mundohet që edhe motrës 3 vjeçe t’i lexojë përralla, në mënyrë që t’i kalisë dëshirën që nesër edhe ajo të futet në botën e librave.

“Përpiqem që atyre t’jua kalis leximin, edhe motrës së vogël që është tre vjeçe. I lexoj disa fletushka nga ato që kam patur unë e vogël me përralla e piktura. Ia lexoj dhe asaj i pëlqen shumë”

E teksa bashkëmoshatarët e saj njohin tashmë në këtë moshë çdo rrjet social, Hesteri njihet thuajse në çdo bibliotekë të qytetit.