3 ditë para betejës zgjedhore për drejtimin e 61 bashkive të vendit, demokratët kanë publikuar një broshurë me të gjitha arritjet e PD, sa herë ajo ka qeverisur vendin. “Libri i punëve të mira” së pari u drejtohet demokratëve, të cilët prej 3 mandatesh janë në opozitë, duke u treguar se PD ka bërë jo pak gjëra të mira për vendin, duke nisur nga shfuqizimi i ligjit që shpallte Shqipërinë shtetin e vetëm ateist në botë, tek zhbërja e detyrimit komunist për të jetuar dhe vdekur në vendin ku kishe lindur, reformat ekonomike e deri tek anëtarësimi në NATO e heqja e vizave për shqiptarët.

 

SALI BERISHA

 

“Eshtë një libër, i cili frymëzon demokratët për një të ardhme edhe më të mirë se kjo, për suksese edhe më të mëdha, sesa këto që kanë realizuar. Është një dëshmi e pakundërshtueshme, se PD është një lokomotivë e reformave të tregut dhe demokratike, është një lokomotivë e proceseve integruese dhe një gardiane e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar.”

 

Në prag të zgjedhjeve lokale, lideri historik i demokratëve theksoi se është koha të bëhet krahasimi mes qeverisjes së PD deri në vitin 2013 dhe drejtimit të vendit nga socialistët në këto 10 vite.

 

“Natyrisht nuk mund të mos themi se këto 10 vite, po t’i karakterizojmë në rrafshin filozofik, kanë qenë vite të një kohe të ndaluar, në kuptimin e asaj që progresi, zhvillimi i Shqipërisë, avancimi i këtij procesi që është jetik për Shqipërinë, u ngadalësua në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe njohu edhe prapa-kthehu. Shqipëria, që në vitin 2013 ishte vendi me rrogat dhe pensionet më të larta në rajon, u katandis sërish në vendin më të varfër, me rrogat më të ulëta në rajon me vetëm 20% të qytetarëve të saj që marrin ndihmë ekonomike dhe janë në nevojë për ndihmë ekonomike.”

 

Berisha ftoi qytetarët që të dielën të zgjedhin mes dy alternativave, qeverisjen e PS dhe programin e opozitës, dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re