Nga Namik SELMANI- 

Ftesë për jetësimin e ëndrës tënde të kulturës e të këngës e valles qytetare beratase

Kur hap portat e një libri për kulturën qytetare të Beratit, zgjodha një refren të jashtëzakonshëm, drithërues gjer në ngazëllim për emocionin dhe përfytërimin që ajo jep. Është refreni i një kënge që jep sa e sa detaje të lirizmit të këtij qyteti.

Se me gjeth të trëndafilit Një fustan unë do ta qep.

Është një refren që të tundon, të josh si askurrë tjetër me një pamje magjepse në përfytërimin e saj . Është një sfond libri i papërsëritshëm që nuk do t’i shkonte asnjë qyteti në Shqipëri e më gjërë në Balkan. Se kudo e kurdo kënga e popullit ka fytyrën e vendit ku ngjizet, ka shpirtin e banorëve që e kanë stisur atë, ka fabulat e jetës së tyre sociale. I ka të gjitha ato që e bëjnë atë të dashur, të dobishme, të domosdoshme, fluide..

Kristalore, harmonike. E kjo ndodh dhe me ata që vite e vite të tëra jetojmë me këtë frymë me këtë lirizëm, me këtë vrull njerëzor me këta muzgje herë mes një qielli të mbuluar me re të zeza, herë me përskuqje që i ngjan fytyrave të vajzave të porsadashuruara që kanë si sfond këngën. Me këto rrugica ë kanë mbi vete hapa, shikime thashetheme njerëzore kanë ëndrra, kanë sfidat e pajetuara e të panumërta njerëzore që kënga i merrr në supet e saj tingullorë. Kanë atë zgjatje të duarve në rrugicat tepër të ngushta ku ngatërrohen shpesh telat e rrobave të nderura që, për besë, nuk dallohen se të kujt familjeje janë. I bën qelizë të jetës tënde e ti nuk mund të jetosh pa to, as në syhapje e as në symbylljen e vetes. Gjer në amëshimin hyjnor ku është paskujtesa e viteve që preke dhe që shpesh u bënë ortek në ditët që jetove.

Në një qytet si Berati, Guri dhe druri kanë një Kod sa të lexueshëm aq dhe të mistershëm, të çuditshëm. Në një rast tjetër të shkon mendja tek shpirti i mbarë qytetit Se janë ca qytete të veçantë si Berati që frymojnë në të njëjtën kohë me legjendën e tyre më shumë se me atë që prek që frymon brenda vetes. Beratin e ka ngritur shpirti i legjendës e ka ngritur guri i tij dhe druri që flet dhe shpirtëzohet në duart e mjeshtërve të panumërt dhe anonimë. E ka ngjizur forca e misterit të ruajtjes së Kodikëve të Purpur. E ka ngjizur shpirti onufrian. E ka spërkatur aroma e luleve të Mangalemit. Të Goricës, të Kalasë që shpesh duken se kanë mbirë e janë rritur mes gurit. E ka ngritur madhështia e kalasë dhe e maleve që i rrinë si kurorë lavdie e kujtese për brezat. E ka zbukuruar me një kordele të përjetshme Osumi që e ka bërë dhe më lirike këngën, që ka zbutur plagët e luftrave dhe të historisë së tij. Që i ka bërë dhe më të bukura dasmat e djemve dhe të vajzave të këtij qyteti. Që i ka bërë më të mallshëm rrugët e kurbetlinjve në të gjithë botën në kërkim të një ëndrre të munguar, të një pragu të munguar, të një shkronje të munguar.

E në këtë kurorë valësh Osumi, në këtë dekor të bardhë Tomori që ia kalon të gjithë mjeshtërve të skenës në të gjithë botën, në këtë sfond legjendar, në këto gjëmime luftrash që, për fat të keq asnjëherë nuk i kanë munguar qoftë dhe historisë së këtij qyteti vjen ajo, më e bukura, më e ëmbla, më drithëruesja, më fisnikja, kënga e vallja qytetare, kënga e vallja e popullit të Beratit.

Ajo, Kalorësja e palodhur e shpirtërave njerëzorë, nuk njeh djerrina dhe moçale. E ka shoqëruar beratasin dhe atë që ka ardhur, qoftë dhe një ditë në qytet në lindje në dashuri në vdekje në dashuri në pasjetën e tij në atë kurorë madhështore që i ka dhënë e kaluara dhe e sotmja e tij,. Sërish është pranë këtij qyteti edhe pse lajet lulet e modernizmit kërkojnë që ta vyshkin sadopak. Edhe pse zhurma e makinave, cingërimat e celularëve, portofolet e boshta të parave, rrugët që presin me padurim që të ikim diku, zhurmat vrastare që na sjellin politikanët e kanë venitur pak. E kanë vyshkur pak në tryezat tona. A thua se kemi harruar se ajo ka qenë përherë një bashkëudhëtare e përjetshme për të gjithë në jetë???!!!

A thua se atë ndarje jozyrtare mes shpirtit dhe reales që shumë herë të të trishton ditën, të mjegullon shikimin të venit shpresën? A thuaaaa? Mund të jenë të gjithë brenda kësaj pyetjeje Klithmë. Një libër meditim paksa modest për rrugën e saj është më shumë se kujtesë. Është një lloj borxhi që na vë lumturorja e emocionit të kësaj ëndrre. Dhe vjen një çast që të gjithë marrim një gjilpërë hyjnore e qepim një fustan me petale trëndafili ia japim vajzave dhe nënave tona në pranverat që asnjëherë nuk i kanë munguar të vijnë më shpejt në këto brigje toke, në këto brigje lumi, në këto shpirtëra njerëzorë. Mund të vazhdonim me këtë meditim, me atë këngë me katër vargje të mrekullueshëm

O në baçen tënde, ç’po këndon ky zogu, nga sevdaja jote, çeli borziloku.

Një lule tradicionale si borziloku që në shtëpitë karakteristike të Beratit e më tutje në odat e Çamërisë u vinin në duar miqve të ardhur në shtëpi, mund të çelte më shpejt, më mire, më bukur nga dashuria e vajzës se sa nga ngrohtësia e diellit atje lart. Po kaq bukur dhe nga ngrohtësia e këngës që ngrohte gjosket njerëzorë dhe në dimrin më të egër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re