Thirrjet për rekrutim të vullnetarëve në radhët e forcave pro-ruse nga Bosnja dhe Serbia u publikuan para dhe gjatë ditëve të para të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Birn-it iu tha se gatishmëria për luftë(nga ana e serbëve) ekziston, por disa besojnë se ushtria zyrtare do ta “mbarojë punën” pa pasur nevojë për vullnetarë.

Një ditë para se Rusia të pushtojë Ukrainën, lideri çetnik Bratislav Zhivkoviç, duke iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari të portalit rusishtfolës RuSerbia.com, tha se “ka shumë vullnetarë serbë që janë ende gati të shkojnë në Donetsk”.

“Shumë njerëz më shkruajnë që do të donin të mbronin Novorussia-n. Do të ketë serbë, si gjithmonë!”, thotë Zhivkoviç në një intervistë.

Shtatë ditë pas kësaj interviste, ai i tha Birn-it se tashmë kishte vullnetarë pro-rusë në Ukrainë.

“Në mesin e vullnetarëve në anën e LDNR-së (Republikat Popullore të Luganskut dhe Donjeckut) ka shumë serbë që kanë qenë atje më parë, ata që u gjendën në Rusi dhe ka nga ata që mbërritën, megjithëse në numër të vogël për shkak të transportit të vështirë, por interesi është i madh”, thotë Zhivkoviç.

Nga ana tjetër, Moska vijon të thotë se shtetas nga Ballkani – Bosnja, Kosova dhe Shqipëria – po luftojnë krah ukraniasve. Putin e përsëriti këtë pretendim së fundi në një bisedë që pati me kancelarin Scholz.

Tirana zyrtare reagoi menjëherë duke e hedhur poshtë sërish këtë pretendim.      

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re