Ministri i Parë i Skocisë, Humza Yousaf, shprehu keqardhje për bombardimin intensiv në Gaza, i cili shkaktoi ndërprerjen e plotë të shërbimeve të telekomunikacionit dhe internetit.

“Telekomunikacioni është ndërprerë”, ka shkruar Yousaf në platformën sociale X, duke shtuar se ai nuk mund të kontaktojë me familjarët e tij “të cilët janë bllokuar në këtë zonë lufte për gati tre javë”.

“Ne vetëm mund të lutemi që ata të mbijetojnë natën. Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin para se bota të thotë mjaft?” pyeti ai.

Vjehrra e liderit skocez, Elizabeth El-Nakla, si dhe burri i saj, Maged, udhëtuan për në Gaza nga Skocia për të vizituar një të afërm të sëmurë.

Më herët, Kompania palestineze e telekomunikacionit njoftoi se komunikimet dhe shërbimet e internetit në Rripin e Gazës u ndërprenë plotësisht këtë mbrëmje mes bombardimeve të rënda izraelite të linjave, kullave dhe rrjeteve.

Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumanshëm që përfshinte lëshime raketash dhe depërtime në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pamëshirshëm në Rripin e Gazës.

Të paktën 8.700 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë mbi 7.300 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re