Humbja e zgjedhjeve më 14 maj nga ana e opozitës ka bërë që shumë deputetë të PD të reflektojnë dhe të bëjnë thirrje për bashkim. Dhurata Çupi me anë të një postimi në Facebook thotë se përçarja gati dy vjeçare i mori frytet me këto zgjedhje të 14 majit.

dhurata cupi

Edhe pse nuk e përmend me emër Berishën, Çupi thotë se “lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë kambanat e alarmit”.

Sipas saj, mesazhi i qytetarëve se “të përçarë jemi të humbur” duhet të lexohet mirë. Shumica e votuesve, thotë Çupi, nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë dhe nuk kanë besim tek kjo opozitë.

“Lidershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur, trupa e vetme që mund të sjellë në pushtet opozitën”, shkruan deputetja demokrate.

Reagimi

“Frytet e përçarjes gati 2 vjeçare i morëm të dielën. Disfatë në bastione, humbje të mëdha në pjesën më të madhe të bashkive.

Mijëra demokratë qëndruan në shtëpi pa i dhënë besim asnjërës palë të opozitës. Mijëra qytetarë të tjerë të pakënaqur me qeverinë nuk gjetën përfaqësim tek asnjëra nga logot e opozitës.

Për fat të keq, po kuptoj që lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë kambanat e alarmit. Mesazhi është dhënë i qartë: Të ndarë jemi të humbur! Mesazhi duhet lexuar: Shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë.

Demokratët, shqiptarët nuk duhet të sakrifikohen më për interesa personalë të askujt. Lidershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur, trupa e vetme që mund të sjellë në pushtet opozitën.

Është koha t’i lëmë vend arsyes! Të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojmë akoma më keq!”, thuhet në reagimin e Dhurata Çupit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re