Skip to content

Lidh kryeqytetin me veriun e vendit, dëmtohet ura e Matit! Ekspertët: Shkak shfrytëzimi pa kriter i inerteve në lumë

Progetto senza titolo 10

LEZHE- Kjo është ura e tretë mbi lumin Mat që ka pësuar dëmtime. Më herët janë dëmtuar rëndë edhe Ura e Zogut, monument kulture i kategorisë së parë, si dhe ura në aksin e vjetër Lezhë–Milot, e cila vijon të jetë e bllokuar që prej korrikut të vitit të kaluar.

Rëndësia e ures automobilistike te Matit, është edhe më e madhe pasi ajo është aktualisht e vetmja lidhje funksionale që bashkon Milotin me Lezhën, Shkodrën. Po keshtu shërben edhe si korridor drejt kufirit me Malin e Zi.

Aktivistja Elsa Sula, e cila e ka ndjekur në vazhdimësi këtë çështje, thotë se shfrytëzimi pa kriter i lumit Mat për nxjerrjen e inerteve ka prishur balancat natyrore të shtratit të lumit, duke shkaktuar erozion të fortë pranë këmbëve të ures.

  • “Ka kompani të licensuara dhe të palicensuara që marrin inerte. Kjo ka sjellë dëmtim të këmbëve të urës. Nëse s’merren masa do ketë fatin e dy urave të tjera që aktualisht janë të mbyllura për qarkullimin”, tha Sula.

Edhe eksperti i mjedisit Jak Gjini thekson se ndërhyrjet e pakontrolluara në shtratin e lumit kanë sjellë pasoja të rënda ndaj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

  • “Së pari duhet të merren masa për shkaktarët. Pra të kontrollohet sasia e inerteve që merren në lumë dhe më pas hapi i dytë është vendosja e pritave lumore”, tha Gjini.

Ura mbi lumin Mat në aksin Lezhë–Milot ka një gjatësi rreth 300 metra dhe është ndërtuar në vitin 2002 me mbështetjen e qeverisë italiane. Që prej ndërtimit të saj nuk janë kryer ndërhyrje të rëndësishme për mbrojtjen nga erozioni apo për forcimin e këmbëve mbajtëse, ndërsa shfrytëzimi i lumit për inerte ka vijuar për vite me radhë.

Me burime mesojme se në shtratin e lumit Mat operojnë 40 firma që nxjerrin inerte, shumë prej tyre pa leje të rregullta shfrytëzimi. Ne brigjet e lumit shihen grumbuj të mëdhenj inertesh.