Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot në 142-vjetorin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më frymëzuese për të gjitha kohërat. Sipas Metës, aty u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve.

Teksa kujton këtë ngjarje të rëndësishme, kreu i shtetit jep edhe një mesazh të fortë. “Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia” thekson Meta.

Mesazhi i Metës

Në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndaj sot, në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, nga rreziku shovinist dhe platformat e aneksimit të territoreve.

Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia.

Ruçi: Lidhja ishte pjesë e kontekstit të luftërave çlirimtare në Evropë dhe Ballkan

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka vlerësuar sot Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me rastin e 142 vjetorit të themelimit.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbajtur më 10 qershor më 1878 ishte e para organizatë politike mbarëshqiptare, me një platformë ideologjike, program politik, strukturë organizative në të gjitha trojet shqiptare, ushtri dhe aksione kulturore.

Lidhja ishte një betejë trevjeçare që luftoi për triadën çlirim, shtetformim mbi bazën e kombit dhe tërësi territoriale të atdheut të shqiptarëve. Lidhja ishte pjesë e kontekstit të luftërave çlirimtare në Evropë dhe Ballkan”, shkruan Kryetari i Kuvendit.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re