Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog

Hipertensioni dhe kanceri janë dy gjendje multifaktoriale, të rënda dhe kronike. Hipertensioni është një problem i madh shëndetësor në mbarë botën, pasi prek afërsisht 3 në 10 të rritur mbi 20 vjeç, duke çuar në sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë. Ai është përgjegjës për pothuajse 50% të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe dështimit të zemrës dhe rreth 14% e vdekjeve totale. Gjithashtu, rreth 10% e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor është e lidhur drejtpërdrejt me rritjen e presionit të gjakut dhe ndërlikimet e tij.

Kanceri është gjithashtu një shkak kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Në mbarë botën, ka pasur afërsisht 18 milionë raste të reja dhe 9.6 milionë vdekje të lidhura me kancerin në vitin 2018, dhe këto shifra pritet të rriten brenda dy dekadave të ardhshme.. Prandaj, nëse presioni i gjakut dhe/ose hipertensioni shoqërohen me rrezikun e kancerit, kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për shëndetin publik.

Karcinoma e qelizave renale është i vetmi lloj kanceri që është shoqëruar vazhdimisht me hipertensionin, megjithëse nuk është ende e qartë nëse shkakësia e kundërt shpjegon një pjesë apo të gjithë këtë lidhje. Pretendimet për lidhje ekzistojnë gjithashtu për kancerin kolorektal, gjirit, endometrial dhe prostatës, por provat janë të paqëndrueshme.

Por kohët e fundit ka pasur një fluks studimesh të reja që hetojnë lidhjen e sindromës metabolike, e cila përfshin hipertensionin dhe rrezikun e kancerit.

Provat vëzhguese të publikuara aktualisht në dispozicion në 18 vende treguan se individët me hipertension ishin në rrezik më të lartë të kancerit të veshkave, kolorektalit dhe gjirit. Megjithatë, kërkohet një interpretim i kujdesshëm pasi shumica e meta-analizave përfshinin një numër relativisht të vogël studimesh, dhe disa rreziqe relative kishin përmasa të dobëta ose të moderuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re