Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e administratës Trump do të inkurajonte fanatizmin dhe dhunën dhe nuk do t’i shërbente aspak procesit të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, paralajmëroi dje në mbrëmje kreu i Ligës Arabe.
Gjatë një forumi të organizuar në Uashington, Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltar i ngushtë i presidentit amerikan njoftoi dje se Donald Trump po shqyrton për herë të fundit vendimin për zhvendosjen e mundshme të ambasadës së SHBA-së nga Tel-Avivi drejt Jeruzalemit.
“Është për të ardhur keq që disa këmbëngulin në zbatimin e kësaj qasjeje pa marrë parasysh rreziqet që ky vendim paraqet për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe të mbarë botës”, deklaroi Ahmed Abul Gheit në prani të medias në Kajro.
Abul Gheit saktësoi se Liga Arabe po ndjek nga afër çështjen dhe është në kontakt me autoritetet palestineze dhe vendet arabe për të koordinuar reagimin arab nëse presidenti Trump urdhëron zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Teorikisht, sipas Departamentit të Shtetit amerikan, presidenti duhet të vendosë deri të hënën, nëse do të rinovojë siç kanë vepruar çdo gjashtë muaj të gjithë pasardhësit e tij dhe ai vetë për herë të parë në qershor, një klauzolë përjashtuese të ligjit që parashtron që nga 1995, për të vendosur ambasadën në Jeruzalem.
Ose pastaj do t’i hapë dritën jeshile kësaj zhvendosjeje, siç premtoi gjatë fushatës elektorale./atsh/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re