Bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve tona mike mbështetet sot edhe në dy shtylla të fuqishme që janë: e sotmja e përbashkët në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe e nesërmja e përbashkët në Bashkimin Evropian. Për të gjithë gjerësinë e thellësinë e vet, qeveria e Edi Ramës e ka konsideruar dhe përcaktuar si strategjik partneritetin mes dy vendeve tona, qysh në programin e parë të qeverisë e në vijim. Objektivi ynë kombëtar dhe shoqëror, kushtetues dhe shpirtëror, integrimi europian, nënkupton mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në vitin 2027 – një sfidë e madhe, por e realizueshme. Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe vendimtare të Greqisë në këtë proces, mbështetje që ka qenë dhe mbetet vendimtare”, tha ndër të tjera Spiropali, e cila u ndal edhe në tema “të nxehta”.

Spiropali kërkon heqjen e ligjit të luftës: Referencë ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, të shohim me sytë nga e ardhmja

Edhe nga takimet e sotme më përforcohet bindja se ky potencial miqësie krijon momentin e duhur për të trajtuar të gjitha çështjet e ashtuquajtura të mbetura, si edhe ato aktuale, në mënyrë që të hapim sa më shpejt një kapitull të ri, duke e parë përfundimisht të shkuarën tonë me sytë e së ardhmes së përbashkët. Në këtë drejtim, ne duhet të nxisim komunikimin mes shoqërive tona, mjediseve akademike, grupeve të interesit, organizatave profesionale, studentëve.

Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq.

Dua ta falenderoj posaçërisht Ministrin për lidershipin dhe vizionin për të ndërtuar një marrëdhënie me sytë nga e ardhmja. Ky hap do të forconte më tej bashkëpunimin dhe vizionin tonë të përbashkët europian“.

Çështja e pronave / Spiropali: Qasje graduale dhe realiste nga të dyja palët, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës dhe frymën europiane

“Aspektet historike ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi u trajtuan hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh.

Palët theksuan rëndësinë e një qasjeje graduale dhe realiste, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës dhe me frymën europiane, me qëllim forcimin e besimit reciprok dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona”.

Çështjet kufitare / Spiropali: Palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv

“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv.

Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re