PD e ka bërë të qartë se nuk do e votojë Ligjin për Magjistraturën, prej së cilës shpresohet të dalin kuadrot të tij të trupës së drejtësisë në Shqipëri, pas fshesës së vettingut. Por opozita sheh aty një shkollë partie e jo një shkollë magjistratësh, sipas cilësimit të kreut Lulzim Basha.

“Ligji për magjistraturën është maturuar vetëm me votat e mazhorancës, në mënyrë të tillë që pasi ta kapnin këtë shkollë, asnjë parti tjetër të mos ndërhynte. Ajo është tani një shkollë partie. Ky është një institucion i kapur totalisht nga Edi Rama. Njerëz të lidhur me PS prej një apo dy brezash. Synohet një kapje afatgjate e sistemit”, tha Basha.

Tashmë, me “zogun politik” të ardhur në dorë, pasi ligji kërkon shumicë të cilësuar me 84 vota, opozita po bën lojën e saj, ku theksin e vë aty ku i dhemb më tepër, te kryeprokurorja Arta Marku.

“Ti qëndrojmë besnik konsensusit të 21 dhe 22 qershorit 2016. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të prokurorit të Përgjithshëm. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në pozicionet e zgjedhjes së jashtme të KLGJ dhe KLP. Ky proces është i pavlefshëm bazuar në ligj, pasi këta anëtarë duhet të zgjidhen në bazë të kushtetutës. Zgjidhje urgjente e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re