Nga 1 marsi në Gjermani ka hyrë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore
të Kualifikuar, i cili rregullon në detaje ardhjen e tyre nga vendet
jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas paketes ligjore, për herë të parë mund të shkosh në Gjermani
edhe me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë duke i mbuluar
personalisht shpenzimet për këtë periudhë, përcjell Telegrafi.

Përveç kësaj, të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të shkojnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin
gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.

“Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në
universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional që
njihet në Gjermani. Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për
të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës.

Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe
njihet, nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe
dy-tre-vjeçare të arsimit profesional”, thuhet në njoftimin e ambasadës
së Gjermanisë në Prishtinë.

Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane në fillim të këtij viti kanë
qenë të regjistruar afër 100 mijë vetë nga vendet e Ballkanit Perëndimor
që punojnë në punë të thjeshta në Gjermani dhe 60 mijë të tjerë që kanë
gjetur punë të kualifikuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re