Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Dollenberg, është shprehur se ligji për kushtëzimin e diplomave për studentët e Mjekësisë mund të sjellë edhe efekt të kundërt, pra të boshatisjes së auditoreve.

Komentet Dollenberg i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se ky ligj mund të shkaktojë një reaksion të lartë te maturantët dhe të bëjë që numri i tyre në fakultetin e mjekësisë të përgjysmohet.

Ajo shtoi se studentët e Mjekësisë largohen kryesisht nga vendi për shkak të pasigurive të tyre për të ardhmen në karrierë.

“Duket sikur mjekëve do u vështirësohet jeta e tyre profesionale në mënyrë të dukshme. Është e ditur që studentët po e përdorin universitetin e Tiranës për t’u shpërndarë pastaj në vende të ndryshme të Europës. Unë mendoj se është për t’u përgëzuar që qeveria shqiptare ka nisur të marrë masa për të ndalur këto largime. Kushtet e detyrojnë studentin ose të paguajë 5 mijë euro dhe të marrë diplomën e të shkojë ku të dojë, ose të kalojnë 5 vite në Shqipëri.

Mendoj se ky ka qenë plani detyrimit për qëndrimin në Shqipëri. Por duhet parë që të mos kemi atë kundërefektin që maturantët kur të mbarojnë gjimnazin të mos i futen fare studimeve në Shqipëri. Duhet të theksojmë se pavarësisht imponimeve dhe planeve qeveritare për të mbajtur mjekët në Shqipëri, përsëri do të jetë tregu i lirë që do të vendosë. Ata që e kanë ende mundësinë që të zgjedhin, do të shikojnë interesin e tyre personal dhe më pas interesin kombëtar.

Ata dhe familja e tyre do të bëjnë një bilanc se ku është më mirë fëmija i tyre. Pra kjo mund të shkaktojë një reaksion të lartë te maturantët dhe të bëjë që fakultetet e mjekësisë jo vetëm të përgjysmohen, por të shkojë në një nivel aq të ulët, saqë drafti të ketë nevojë sërish për ndryshime.

Ajo që i largon mjekët nga vendi, nuk është paga e ulët, por është pasiguria në karrierën e tyre. Prej më shumë sesa 10 vitesh nuk ka të drejta doktorature në Shqipëri. Më shumë se 70 % e specializantëve janë pa pagesë. Kjo pra i tremb mjekët e rinj, të cilët thonë ne po sakrifikojmë kaq shumë dhe këtu nuk kemi gjë të sigurt”, u shpreh Dollenberg.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re