VALENTINA MADANI/ Mazhoranca përjashtoi dje edhe 4 deputetë të tjerë të PDsë me arsyetimin se bllokuan seancën dhe Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ashtu siç paralajmëroi tri ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Bledi Çuçi, mazhoranca kërkoi masë disiplinore për 4 deputetë të opozitës, gjë që u pranua nga Komisioni i Etikës. Bazuar në njoftimin zyrtar, me 10 ditë është përjashtuar kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ndërsa me 20 ditë deputetët Flamur Noka, Asllan Dogjani dhe Bledjon Nallbati.

“Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 ditë” për deputetin Gazment Bardhi, duke filluar nga data 08.02.2024 deri më datë 17.02.2024. Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 20 ditë për secilin nga deputetët Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka, duke filluar nga data 08.02.2024 deri më datë 27.02.2024″, – thuhet në njoftimin e Komisionit të Etikës.

Në argumentet e tyre deputetët firmëtarë shprehen se ata krijuan kaos në seancën plenare të së hënës, si dhe bllokuan një ditë më pas edhe punimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Në argumentet e tyre socialistët firmëtarë thanë se këta deputetë krijuan kaos në seancën plenare të së hënës, si dhe bllokuan një ditë më pas edhe punimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Ky vendim vjen një ditë para seancës plenare, e cila do të ketë mungesë të theksuar nga pala opozitare. Më herët socialistët përjashtuan 19 deputetë demokratë, me të njëjtin argument, atë të bllokimit të punimeve të Kuvendit. Por teksa socialistët përjashtuan edhe katër deputetë të tjerë, demokratët pritet të depozitojnë një padi për kryetaren e Kuvendit, të cilën e akuzojnë se shpërdoroi detyrën duke mos lejuar futjen në seancë plenare të deputetëve demokratë.

Paralajmërimin e bëri kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili akuzoi Nikollën se pengoi deputetët e opozitës të hynë në seancën plenare të së hënës.

“S’mund të përjashtosh deputetë vetëm se mbajnë pankarta në duar. Dje u penguan të gjithë deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë. Kryetarja e Kuvendit sikur të mos kishte ndodhur asgjë nis seancën me gjysmën e sallës bosh duke marrë edhe autoren e kryerjes së asaj vepre penale. Do e kallëzojmë Nikollën për shpërdorim detyre dhe kujtdo tjetër që ka shkelur ligjin duke penguar deputetët e opozitës në Kuvend”, – tha Bardhi.

Opozita është e vendosur për të mos rikthyer normalitetin në Kuvend, pa u plotësuar më parë kërkesat e saj për ngritjen e komisioneve hetimore dhe të drejtën e anëtarëve në tryezën e Reformës Zgjedhores. Ndaj edhe Amnistia Penale, pavarësisht përfshirjes së propozimeve të demokratëve për zgjerimin e personave përfitues nuk do të marrë votën e opozitës në Kuvend.

SEANCA

Seanca e radhës parlamentare nuk do të ketë vetëm një axhendë të ngjeshur, por edhe më pak deputetë se çdo seancë tjetër, pasi 23 ligjvënës të PD-së janë të përjashtuar nga Kuvendi për shkak të bllokimit të seancave të mëparshme. Teksa pritet që udhëheqja e aksionit opozitar të delegohet tek ata që kanë mbetur pa përjashtuar, socialistët kanë një listë të gjatë ligjesh dhe marrëveshjesh, për të cilat do të duhet të japin votën.

Ligji për lojërat e fatit, tashmë i ndryshuar pritet të marrë votën e socialistëve në seancë plenare, duke i hapur zyrtarisht rrugë ushtrimit të këtij aktiviteti vetëm ‘online’. Mazhoranca do të ngrejë kartonin jeshil edhe për projektligjin për Prokurimin Publik, i cili përveç përafrimit me legjislacionin e BE, ka si qëllim përdorimin e Inteligjencës Artificiale nëpër tendera. E gjithë procedura me sistemin e ri që synohet të ngrihet do të bëhet në mënyrë elektronike.

Për këto dy ligje apo dhe listën e gjatë të marrëveshjeve që janë në axhendë, socialistët nuk do ta kenë të vështirë të sigurojnë votat pasi nuk kërkojnë shumicë të cilësuar. I vetmi ngërç që mund të krijohet është nga dekreti i presidentit të Republikës për dekoratat, ligji i parë i kthyer për shqyrtim nga Bajram Begaj, i cili kundërshtoi marrjen e kompetencave nga ana e qeverisë për dhënien e dekoratave.

Për votimin e këtij dekreti do të duhen 84 vota, që e vetme PS nuk mund t’i sigurojë. Pritshmëritë janë që për asnjë prej pikave të rendit të ditës të ketë diskutim parlamentar, veçse pritet për t’u parë lëvizja e mazhorancës për të siguruar votat e nevojshme nga Lulzim Basha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re