Vetëm një numër i vogël qytetarësh derdhin kontribute vullnetare për të përfituar një pension privat shtesë. Për të nxitur më tej pjesëmarrjen në skemën e pensioneve private,

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka dorëzuar një projektligj në Kuvend, që pret të diskutohet dhe miratohet nga deputetët.

 

 

NAIM HASA

EKSPERT PER TREGUN E PENSIONEVE

“Ky treg paraqitet një treg në zhvillim, aktualisht nr i pjesëmarrësve është 36 mijë veta, me një ritëm vjetor 7-8% çdo vit. 36 mijë shqiptarë janë të siguruar në skemat e pensionit privat, kryesisht interes ka nga emigrantët. Por sidoqoftë, potenciali për t’u afruar në këto skema është shumë i madh. Në skemën e sigurimeve shoqërore personat që paguajnë kontribute janë mbi 700 mijë dhe pensionet private zënë afro 5% të këtij potenciali.”

 

Projektligji u jep të drejtë bizneseve të krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur, për të derdhur në rrugë vullnetare një pension privat për punonjësit e tyre.

 

Përcaktimi i shumës që derdhet për pensionin privat të punonjësve bëhet në dakordësi mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe në çdo rast, ai nuk cenon kontributin e detyrueshëm shoqëror.

 

 

NAIM HASA

EKSPERT PER TREGUN E PENSIONEVE

“Në fondet e pensionit me pjesëmarrje të mbyllur, çdo punëdhënës kanë të drejtë të krijojnë një fond pensioni të mbyllur duke ja dhënë për administrim shoqërive që janë në treg dhe duke negociuar jo më një kontratë të hapur për të gjithë. Kjo do t’i japë një zhvillim fondeve profesionale. Nuk mund të kuptohet një kompani pa zhvilluar edhe tregun e fondeve profesionale. Ka edhe dy lloje pensionesh, pensione me kontribut të përcaktuar, pra unë derdh kontributin dhe përfitimi është rrjedhojë e këtij kontributi dhe pensione me përfitime të përcaktuara, ku përcaktoj masën e përfitimit dhe kontributi do të jetë në varësi të saj.”

 

Ata që do të zgjedhin të investojnë edhe në pensione private, me projektligjin e ri do të përfitojnë lehtësi fiskale.

 

NAIM HASA

EKSPERT PER TREGUN E PENSIONEVE

“Për ata që investojnë në fondet e pensionit privat ka një sistem fiskal lehtësues. Kontributet që derdh punëmarrësi në formë pensioni i zbriten nga të ardhurat, nga paga e tij për efekt tatimi dhe është përcaktuar një limit deri në pagën minimale dhe sa herë lëviz paga minimale, aq herë lëviz edhe ky limit i pranueshëm për t’u zbritur dhe për të mos u tatuar. Po kështu edhe kontributi që punëdhënësi derdh për punëmarrësin në një fond pensioni privat njihet si shpenzim i zbritshëm për efekt tatimi. Pra të dy palët pjesëmarrëse, tashmë janë të interesuara që të sigurojnë punonjësit e tyre edhe me një fond pensioni suplementar shtesë.”

 

Në kushtet kur popullsia po tkurret dhe po plaket, sipas ekspertëve sistemi aktual shoqëror i pensioneve nuk po rezulton më funksional dhe në të ardhmen ata sugjerojnë që të ketë një skemë hibride, ku investimi në pension privat të bëhet i detyrueshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re