Presidenti Bajram Begaj u pyet ditën e sotme nga gazetarët për dakordësinë e dhënë në lidhje me ligjin që rrit pagën e tij, deputetëve dhe administratës.

Begaj tha se nuk ka dhënë menjëherë dakordësinë  për rritjen e pagave por ka marrë ditët që i ka dhënë Kushtetuta për ta vlerësuar si duhet me ekspertët e ekonomisë.

Ai theksoi se ligji në fjalë bëhet për të rregulluar piramidën e pagave në vend për administratën e lartë publike dhe magjistratët.

“Në fakt nuk shkon me frymën e kësaj konference. Presidenti në fakt zbaton kushtetutën dhe ligjet e vendit. Dua të sqaroj që nuk ishte një vendim i deputetëve, Ishte një ligj i votuar me shumicë dhe konsensus.

Ligji në fjalë bëhet për të rregulluar piramidën e pagave në vend, në administratën e lartë publike dhe pagat e magjistratëve. Përmendët që u lexua dakordësia e presidentit. Ligji studiohet, vlerësohet nga deputetët. Presidenti ka dhënë pëlqimin paraprak që ligji të hyjë në fuqi pas dekretimit por jo përmbajtjen e ligjit.

 Presidenti ka marrë kohën e vet në momentin që erdhi. Kam marrë ditët që më ka dhënë kushtetuta për ta vlerësuar si duhet ligjin nga ekspertët e ekonomisë. Nuk është dhënë miratimi paraprak për ligjin. Është dhënë dakordësia për hyrjen në fuqi të ligjit në momentin e dekretimit”, tha Begaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re