Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

 

E njëjta masë nga gjyqtarja Rexhina Merlika u la edhe për dy të arrestuarit e tjerë, konkretisht për drejtorin juridik të Financave Fatmir Hoxhaj dhe për përmbaruesin Alban Ruli.

 

Në këto kushte, Gjykata penale pranoi kërkesën e Prokurorisë duke i lënë tre zyrtarët pas hekurave deri në përfundim të hetimeve.

 

Në seancë ishin të pranishëm Fatmir Hoxhaj dhe Alban Ruli. Ndërsa sekretari i Përgjitshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj nuk ishte prezent në sallën e gjyqit, pasi prej 2 ditësh ndodhet i shtruar në spital për shkak të problemeve me zemren.

 

Të tre këta persona u arrestuan para pak ditësh nga Policia e Tiranës.

 

Ata akuzohen se kanë firmosur dokumente për t’i kaluar 1.2 mln euro Ilir Thanës, duke e trajtuar këtë të fundit si ish-pronar, edhe pse nuk e kishte një status të tillë.

 

Thana përfitoi një shumë prej 400 mijë eurosh, në llogarinë bankare të motrës së tij. Ndërsa pjesa tjetër e përfituar përmes mashtrimit pritej ti kalonte muajin tjetër, por skema u pikas dhe fondet nuk kaluan dot.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re