Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, ka dhënë një
mesazh mjaft domethënës për gruan shqiptare, në fjalën e saj në Global
Women Club Kosovo 2019. Ndër të tjera, Linda Rama shprehet se “Më duket
se askush më shumë se vetë gruaja nuk mund të luftojë për lirinë në
shtëpi dhe për çlirimin e shtëpisë së përbashkët nga gardhet që ngre
koha e re, e nga hijet që sjell rrotull koha e shkuar”.

Duke kujtuar kohët e vështira plot vuajtje të grave kosovare, teksa
dëgjoheshin masivisht fjalët “liri” dhe “shtëpi”, bashkëshortja e
kryeministrit shqiptar thekson se ato dy fjalë janë vizioni më i bukur
për Kosovën e re, dhe mbase përkufizimi më i sigurt për gruan shqiptare
përtej kufijve gjeografikë.

“S’kam për ta harruar kurrë, ishim edhe ne si të hutuar, si të mpirë
nga një tragjedi familjare, donim të ndihmonim sadopak dhe në
komunikimet ku përpiqeshim të kuptonim, se për çfarë kishin ndonjë
nevojë më specifike, çfarë u mungonte më shumë, nga fëmijët më të rritur
dëgjonim më së shumti fjalën “liri”, ndërsa gratë fjalën “shtëpi”!

Sot, 20 vite nga ajo kohë nuk do të guxoja kurrsesi të thosha, këtu
përpara jush se çfarë shkon a çfarë nuk shkon sot në Kosovë. As nuk do
të doja kurrë të jepja mend, siç i themi ne, mbi çfarë duhet e çfarë
s’duhet të bëjnë gratë dhe burrat e Kosovës. Por ato dy fjalë, “liri”
dhe “shtëpi”, më janë dukur gjithnjë e më shumë, vizioni më i bukur për
Kosovën e re dhe mbase, përkufizimi më i sigurtë për gruan shqiptare
përtej kufijve gjeografikë”, shton ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re