Për herë të parë pas tre muajsh kjo fundjavë do të jetë e hapur për të gjithë. Baret, restorantet dhe qendrat tregtare do të qëndrojnë të hapura edhe të shtunë e të diel.
E ndaluar deri në 1 qershor do të jetë vetëm dalja nga zonat e kuqe në zonat e gjelbërta deri të hënën kur këto kufizime do të hiqen.
Nga dita e parë e muajit qershor Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se hapen kufijtë tokësorë me vendet fqinje, çerdhet e kopshtet, kampionatet sportive pa praninë e publikut, parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë. Prej 1 qershorit edhe plazhet do të hapen, por vetëm për hotelierët, ndërsa për të gjithë qytetarët nga data 6.
Mbetet ende mbyllur transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve. Ndërsa deri më datë 23 qershor ndalohet të hapen kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji.
