Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se qëndrimi ndaj Ukrainës dhe mbështetja për Kosovën nuk duhet të vendosen përballë njëra-tjetrës.
Në reagimin e tij, Rama e cilëson të gabuar qëndrimin e Ukrainës për Kosovën, por nënvizon se kjo nuk e ndryshon të drejtën e Ukrainës për të qenë e lirë dhe për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
“Ukraina mund të jetë, dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme”, shprehet Rama.
Sipas kryeministrit, mbështetja ndaj një vendi që përballet me agresion nuk duhet të funksionojë si një marrëdhënie shkëmbimi, ku një qëndrim politik i palës tjetër përcakton nëse ajo meriton apo jo solidaritet.
“Liria nuk funksionon me cashback. Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe për një paqe të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen”, shkruan Rama.
Ai kritikon gjithashtu reagimet që kërkojnë ndëshkimin e Ukrainës për qëndrimin e saj ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe ata që, sipas tij, kanë shkuar deri në mbështetjen e Rusisë.
“Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me cashback”, thekson kryeministri.
Rama argumenton se Shqipëria duhet të jetë në gjendje të mbështesë njëkohësisht të drejtën e Ukrainës për liri dhe të mbrojë çështjen e Kosovës.
“Shqipëria është rritur mjaftueshëm për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë”, shprehet ai.
Deklarata e Ramës vjen pas vizitës së Zelenskyt në Beograd më 8 gusht, ku presidenti ukrainas rikonfirmoi se Kievi nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Deklarata shkaktoi reagime në Prishtinë, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi edhe heqjen e pankartës “Free Ukraine” nga kryeqyteti.
Në përfundim, Rama e mbyll reagimin me një mesazh të qartë në mbështetje të Ukrainës:
“Rroftë Ukraina e lirë! Sot, nesër dhe gjithmonë.”
Deklarata e Ramës:
Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm në Tiranë dhe Prishtinë nisën të bënin llogaritë gjeopolitike: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të ndalojmë së mbështeturi një popull të lirë dhe së vajtuari për ata që janë bombarduar. Më të papërgjegjshmit prej tyre na sulmuan pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë! Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me parimin “më jep, të të jap”.
Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris sapo viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një favor që këmbehet me një favor tjetër, por është ajo çfarë je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të rrëmujshme.
Dhe fatmirësisht, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që llogarit se kush i detyrohet kujt, por është Evropa e Ballkanit që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj.
Ukraina mund të jetë, dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme. Dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Evropën dhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të qëndrojnë fare mirë në të njëjtën fjali.
Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë.
Pra, po: RROFTË UKRAINA E LIRË! Sot, nesër dhe përgjithmonë.
