Nga Silvana Kola-Loka

(Psikologe)

Ne vijmë ne jetë përmes një akti lirie. Prerja e kordonit kërthizor është akti i parë ‘ceremonial’ i mëvetësisë së Njeriut të Sapoardhur në jetë. Liria nga nëna është Liria e parë që provojmë në jetë dhe prova më e madhe se Liria është zotërim i yni që nga lindja dhe jo aset që duhet të meritohet nga ne sipas gjykimit të të tjerëve dhe sipas standardeve të tyre (nëse jemi sjellë mirë, ne meritojmë ca copa lirie).

Diku kam lexuar se njeriu mund të jetë i lirë vetëm aq sa dëshiron ai vetë. Dhe pyes veten: “Sa mund të dojë njeriu të jetë i lirë? A mundet njeriu të bëjë negociime me/për lirinë e tij?

Liria është çështje Përgjegjësie gjithashtu! Dhe, në mendimin tim, ato kanë një raport të drejtë midis tyre; sa më i lirë të jetë dikush, aq më i përgjegjshëm është, dhe si e tillë, Liria shndërrohet në Integritet.

Liria është çështje Pafrike gjithashtu!

Fjala ‘pafrikë’ nuk tingëllon gramatikisht e saktë, por është e vetmja që më vjen ndër mend për të argumentuar se Liria nuk është thjesht guxim për të bërë diçka të pazakontë, por fuqi për të mos parë asnjë situatë si ‘të frikshme apo kërcënuese’ për aq kohë sa njeriu e ushtron lirinë me përgjegjësi. Edhe këto janë në raport të drejtë midis tyre; sa më i madh sensi i Lirisë, aq më e madhe Pafrika për të bërë gjërat që duhen bërë dhe për të mos bërë gjërat që nuk duhen bërë dhe, si e tillë, Liria shndërrohet në Integritet.

Nëse Liria është një ndër zotërimet më të mëdha të njeriut, Integriteti është fuqia dhe kontributi më i madh e një qytetari në shoqëri.

Prosperiteti i përket asaj shoqërie që ia njeh qytetarit këto zotërime dhe që bën çmos të mos e vendosë në provë qytetarin në aftësinë e tij natyrore për t’u përshtatur me mungesën e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re