Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bëri thirrje evropianëve të udhëtojnë me përgjegjësi gjatë verës dhe paralajmëroi se Evropa “nuk ishte aspak jashtë rrezikut” nga COVID-19 pavarësisht rënies së niveleve të infeksionit në javët e fundit.

“Duke pasur parasysh rritjen e tubimeve shoqërore, lëvizshmërinë më të madhe të popullsisë dhe festivaleve të mëdha dhe garave sportive në ditët dhe javët e ardhshme, OBSH bën thirrje për kujdes,” tha udhëheqësi i OBSH për Evropën Hans Kluge në një konferencë shtypi.

 “Nëse vendosni të udhëtoni, bëjeni me përgjegjësi. Jini të vetëdijshëm për rreziqet. Udhëzohuni nga mendja e shëndoshë dhe mos rrezikoni atë që është e vështirë të arrihet”.

Gjatë dy muajve të fundit, numri i rasteve të reja të COVID-19, vdekjeve dhe shtrimeve në spital, ka ardhur në rënie dhe 36 nga 53 vendet në rajon kanë filluar të zbusin masat e futura për të luftuar infeksionin.

Numri i infeksioneve të raportuara javën e kaluar ishte 368,000, një e pesta e rasteve javore të raportuara gjatë pikut në prill të këtij viti, tha Kluge.

“Ne të gjithë duhet të pranojmë përparimin e bërë në shumicën e vendeve në rajon, por gjithashtu duhet të pranojmë se nuk jemi aspak jashtë rrezikut,” tha ai.

Kluge tha se i ashtuquajturi Varianti Delta, i identifikuar për herë të parë në Indi, është një arsye për shqetësim. Ky variant “tregon ngjitje të shtuar” dhe shumë që i përkasin grupeve të rrezikuara të popullsisë, më të vjetër se 60 vjeç, nuk janë të mbrojtur ende.

Me vetëm 30 përqind të popullsisë së rajonit që marrin dozën e parë të vaksinës, kjo nuk është e mjaftueshme për të parandaluar një valë të re të virusit, argumentoi ai.