Ambasadorja amerikane, Yuri Kim e ka konsideruar si zhgënjyes vendimin e gjykatës për lirimin e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

 

Përmes një reagimi në rrjete sociale, ambasadorja amerikane thekson se të tilla veprime do të kenë pasoja, ndërsa mënyrat e vjetra të mosndëshkimit duhet të marrin fund.

 

Yuri Kim shkruan se këto vendime të drejtësisë nuk janë të pranueshme për një vend anëtar në NATO e që aspiron të jetë pjesë e BE.

 

“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në Shqipëri sistemin e drejtësisë. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja.’, shkruan Kim.

 

Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u lirua nga qelia këtë të premte, ndërsa pjesën tjetër të dënimit do ta vuajë në shtëpi. Sipas vendimit, shkak është bërë gjendja shëndetësore e bashkëshortes së Tahirit dhe nevoja për përkujdesje për dy fëmijët e tij të mitur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re