Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se kishin shtuar Rusinë në listën e zezë të vendeve “veçanërisht shqetësuese” në lidhje me liritë fetare.

Nga ana tjetër, Nigeria, e cila u fut në listë vitin e kaluar, u tërhoq nga lista këtë vit, sipas një deklarate të Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili është planifikuar të vizitojë vendin e Afrikës Perëndimore këtë javë, transmeton AFP.

Vendet e tjera në listën për “kryerjen ose tolerimin e shkeljeve flagrante, sistematike dhe të vazhdueshme të lirisë fetare” janë të njëjta si në vitin 2020: Arabia Saudite, Mianmari, Kina, Koreja e Veriut, Eritrea, Irani, Pakistani, Taxhikistani dhe Turkmenistani.

Algjeria, Komoret, Kuba dhe Nikaragua janë vendosur në listën e vendeve “të mbikëqyrura”.

“Shtetet e Bashkuara nuk po heqin dorë nga angazhimi i tyre për të mbrojtur lirinë fetare për të gjithë dhe në çdo vend,” tha Blinken.

“Në shumë vende në mbarë botën, ne ende shohim qeveritë që ngacmojnë, arrestojnë, kërcënojnë, burgosin dhe vrasin njerëz vetëm sepse duan të jetojnë jetën e tyre në përputhje me besimin e tyre.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re