Gjykata e Tiranës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për dy vëllezërit Agim dhe Florenc Domi, të arrestuar pas zbulimit të një sasie të konsiderueshme produktesh ushqimore të skaduara në një magazinë në pronësi të kompanisë “Master Al”.
Me kërkesë të Prokurorisë, ata do të hetohen në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet për rastin do të vijojnë. Agim Domi ishte administrator i ambientit, ndërsa vëllai i tij Florenci, magazinier.
Në seancën gjyqësore, të dy vëllezërit kanë pretenduar se mallrat e gjetura në magazinë nuk ishin të destinuara për treg, por për t’u asgjësuar, sapo të siguroheshin kushtet financiare për këtë procedurë.
Ndërkohë, sipas policisë dhe prokurorisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të operacionit të koduar “Siguria Ushqimore”, janë sekuestruar 716 koli dhe dhjetëra kilogramë produkte ushqimore të përpunuara, si kroasantë, fruta të thata dhe mallra të tjera, të cilat kishin skaduar që në janar dhe shkurt të këtij viti.
Autoritetet pretendojnë se mbi këto produkte ishin vendosur etiketa të falsifikuara me data të reja skadence, me qëllim që të hidheshin sërish në treg.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa rasti ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me sigurinë ushqimore dhe kontrollin e zinxhirit të shpërndarjes së produkteve të konsumit në vend.
