Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha.
Hetimi i ILD ndaj Hoxhës, nisi si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg për jetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit. Në janar të këtij viti, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kërkoi pezullimin e saj, pasi me vendimin e saj liroi nga burgu, Doklen.
Në qershor, emri i Hoxhës doli sërish në skenë pas vrasjes së Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit.
Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli por dhjetë vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali pesë vite Billës, ndërkohë që pesë vitet e fundit i ka konvertuar në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga qelia.
