Qeveria ka miratuar listën e hoteleve që do të përdoren për akomodimin e personave që po riatdhesohen, të cilët duhet t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme prej dy javësh.

Në total janë 17 hotele, prej të cilave pjesa më e madhe janë në zonën e Golemit, Malit të Robit dhe Durrësit. Ndërsa një prej strukturave akomoduese është në Lezhë. Deri më tani nuk ka një shifër zyrtare se sa është numri i shqiptarëve që do të kthehen në atdhe, ndërkohë që fluturimet e Air Albania vijojnë çdo ditë nga destinacione të ndryshme.

Sipas përfaqësuesve të operatorit turistik shifra e të riatdhesuarve pritet të jetë rreth 3 mijë. Sipas raportit dhe procedurës së ndjekur ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Unionit Turistik Shqiptar dhe Shoqatës Shqiptare të Turizmit kostot e fjetjes dhe ushqimit për një person janë 2500 lekë në ditë.

Qeveria ka miratuar mbulimin e shpenzimeve të akomodimit të përkohshëm në vlerën 1.700 lekë në ditë për person, nga buxheti i shtetit. Ndërsa 800 lekë në ditë do të mbulohen nga personi i riatdhesuar. Grupet e para të të riatdhesuarve kanë patur ankesa në lidhje me kushtet, por edhe pagesat, pasi shumë prej tyre nuk kanë mundësi t’i paguajnë.

Karantinës së detyrueshme i nënshtrohen edhe të riatdhesuarit që kthehen nga Greqia. Por për ta shteti nuk ka parashikuar të paguajë asnjë para për përballimin e tarifës së akomodimit. Qytetarët që kthehen nga Greqia në rrugë tokësore i përballojnë të gjitha shpenzimet e qëndrimit në hotel vetë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re