Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut, që pas zbarkimit në Tiranë, kanë identifikuar nëntë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët sipas tyre nuk duhet të shërbejnë në sistemin e drejtësisë shqiptare, ndonëse ata janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut. Nga nëntë rekomandime të ONM, tetë janë pranuar deri më tani nga Komisioneri Publik, i cili ka vënë në lëvizje Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke i kërkuar shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve përkatës. Ndërkaq, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, sa i takon ankimimeve të Komisionerit Publik me rekomandimin e ONM, ka marrë deri më tani tre vendime. Në të tre rastet, Kolegji ka pranuar ankimimin e Komisionerit Publik dhe rekomandimin e ONM, duke shkarkuar përfundimisht subjektet. Konkretisht, Kolegji i Apelimit, me rekomandim të ONM dhe me kërkesë të Komisionerit, shkarkoi përfundimisht nga detyra kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Deden, kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjorin dhe anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gentian Osmanin. Por, ONM kërkon largimin nga drejtësia edhe të gjashtë prokurorëve dhe gjyqtarëve të tjerë, të cilët janë: Drejtues i Prokurorisë Kavajë Artan Madani, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë Kastriot Selita, prokurori pranë Prokurorisë së Përgjithshme Adnand Kosova, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Besnik Cani, gjyqtari pranë Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës Artur Malaj si dhe gjyqtari pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të Tiranës Gentian Medja. Për të gjithë subjektet e lartpërmendura, me përjashtim të Artan Madanit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të shprehet në javët dhe muajt në vijim nëse duhet të shkarkohet nga detyra apo të vijojnë të shërbejnë në drejtësi. Gjithsesi, nga praktika e deritanishme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me përjashtim të rastit të Nertila Kosovës, ka pranuar të gjitha kërkesat e Komisionerit Publik për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra, pavarësisht me rekomandim apo pa rekomandim të ONM.

Rekomandimi i fundit

Rekomandimi i fundit i ekipit ndërkombëtar që monitorin zbatimin e ligjit të Vetingut, por që mund të kryejë hetimet të pavarura për veprimtarinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve, është për drejtuesin e Prokurorisë Kavajë Artan Madani. Ky i fundit u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në datën 1 korrik 2019. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Etleda Çiftja, Pamela Qirko dhe Genta Tafa. Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është kundër këtij vendimi. Sipas ONM, prokurori Artan Madani nuk e justifikon pasurinë me burime të ligjshme. “Gjendja e përgjithshme financiare e subjektit tregon qartë se atij i mungojnë në një masë të madhe burimet financiare për të justifikuar pronat dhe shpenzimet e tij, gjë që çon në konfuzionin se ai nuk ka bërë një deklarim të saktë. Asgjë e rëndësishme nuk është sjellë si provë nga subjekti pas konkluzionit të hetimit. Nuk është korrekte që të konsiderohen si burime të ligjshme të ardhurash dhurimi i padeklaruar dhe i paprovuar i 300 mijë lekëve, që sipas tij ia ka dhuruar vëllai. Po kështu, nuk është e logjikshme të pranohet që shpenzimet e jetesës së tij rezultojnë zero në periudhën 1992-1994 dhe shumë të ulëta në periudhën 1997-2003. Sa më sipër, rekomandojmë apelimin kundër vendimit të KPK të datës 01.07.2019 ndaj drejtuesit të Prokurorisë Kavajë Artan Madani”, thuhet në rekomandim.

Subjektet që duhet të përjashtohen nga drejtësia sipas ONM

Artan Madani, drejtues i Prokurorisë Kavajë, ende nuk është ankimuar nga Komisioneri Publik
Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
Adnand Kosova, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
Besnik Cani, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
Artur Malaj, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
Gentian Medja, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ankimuar nga Komisioneri Publik, ende pa vendim nga KPA
Gentian Osmani, prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA
Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës së Kushtetuese, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA
Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë, konfirmuar nga KPK, shkarkuar nga KPA

Subjektet e ankimuara nga Komisioneri Publik, pa rekomandim të ONM, në Kolegjin e Apelimit

Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, vijon gjykimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit

Dritan Peka, drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, vijon gjykimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Donika Prela, drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vijon gjykimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Alma Kolgjoka, kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, vijon gjykimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Arben Dollapaj, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, vijon gjykimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Besnik Muçi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, vijon gjykimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Nertina Kosova, gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, konfirmuar në detyrë nga Kolegji i Apelimit
Antoneta Sevdari, Prokurore në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, anëtare e KLP, shkarkuar nga Kolegji i Apelimit
Astrit Faqolli, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, shkarkuar nga Kolegji i Apelimit
Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, shkarkuar nga Kolegji i Apelimit
Edmond Islamaj, anëtar i Gjykatës së Lartë, shkarkuar nga Kolegji i Apelimit

E.L./b.ha./Shqiptarja.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re