Skip to content

Lista/ Përgjysmimi i pagës, ja drejtuesit që iu bindën urdhrit të Ruçit

Janë 15 drejtues  dhe disa anëtarë të institucioneve dhe anëtarë të të organeve të reja të sistemit të drejtësisë që i janë përgjigjur thirrjes së kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për të përgjysmuar pagën e tyre për një periudhë tremujore si një shenjë solidariteti për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19.

Kuvendi bën të ditur se në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19 i janë përgjigjur pozitivisht shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve, ku një pjesë e tyre zgjidhen apo raportojnë për punë vjetore para deputetëve.

Në Bankën e Shqipërisë thirrjes iu përgjigjën, përveç Guvernatorit Gent Sejko, edhe  anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, administratorët dhe drejtorët e Bankës. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, përveç përgjysmimit të pagës së vet, u bëri thirrje edhe vartësve të tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve të bëjnë të njëjtin veprim, si detyrim moral. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, mori vendim për përgjysmimin e pagës deri në fund të vitit 2020.

Thirrjes së Kryetarit të Kuvendit i janë peergjigjur pozitivisht anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor: Naureda Llagami, Ilir Toska, Brikena Ukperaj, Dritan Hallunaj, Erjon Muharremaj  dhe Fatmira Luli.  Kësaj thirrje i është bashkuar edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani.

Njëkohësisht KLGJ u përcolli thirrjen  në adresë të të gjitha gjykatave për t’u solidarizuar në mënyrë vullnetare. Thirrjes së Kryetarit të Kuvendit i janë përgjigjur deri tani edhe Avokati i  Popullit Erinda Ballanca, Këshilli Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Konfliktit të Interesit, Shkëlqim Ganaj, Autoriteti i Mediave Audiovizive, Kryetari i Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi; Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Juliana Latifi; Komisionerja për Mbikëqyrjen  e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha;  Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Petrit Ahmeti; Kryetari i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Donald Duraj; Drejtuese e komanduar e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli dhe anëtarja e Komisionit të Prokurimit Publik, Lindita Skeja.