Partia Bindja Demokratike e sapokrijuar nga Astrit Patozi ka depozituar mbrëmjen e djeshme në limitet e afateve kohore listën e kandidatëve për kryetarë bashkish.

Ndonëse s’e kishte pohuar se Bindja Demokratike do të garonte në të gjitha bashkitë e vendit për zgjedhjet e 30 qershorit, Patozi theksoi mbrëmë se ka depozituar pranë KQZsë 25 kandidatë për kryetarë bashkie.

GARA

Në garë për zgjedhjet e 30 qershorit është koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste, e emëruar si “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, e cila depozitoi dje listën zyrtare të kandidatëve për kryetarë bashkie; koalicioni “Shpresa për Shqipërinë”, e kryesuar nga Aleanca Kuq e Zi; si edhe parti të tjera, mes të cilave është Bindja Demokratike.

Për kryeqytetin, Bindja Demokratike ka kandiduar një prej themeluesve të saj, Arben Skënderin, i cili do të jetë përballë Erion Veliajt nga PS. Bindja Demokratike ka kandiduar në Vlorë Valbona Mezinin, edhe kjo themeluese, dhe do të ketë përballë nga PS-ja Dritan Lelin. Në Korçë ka kandiduar një tjetër themelues i Bindjes Demokratike, Leonard Olli.

Ai do të përballet me kryetarin që është në detyrë, i cili është mandatuar nga PS për të rigaruar Sotiraq Fillon. Si risi në listën e Bindjes Demokratike është kandidimi i Salvador Kaçajt për Bashkinë e Lezhës. Kaçaj ka qenë më parë kryetar i Bashkisë Shëngjin, por pas ndryshimit të ndarjes territoriale ai u bashkua me LSI-në në 2015, ku bëri fushatë për Viktor Tushën.

Tanimë ai do të provojë një garë tjetër për të marrë drejtimin e Bashkisë së Lezhës, ku përballë do të ketë ish-deputetin socialist, Pjerin Ndreu. Partia Socialiste nga ana e saj mund të konsiderohet më komode për këto zgjedhje, pasi përballë nuk ka asnjë nga dy partitë e mëdha të opozitës.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk janë regjistruar për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, pasi nuk pranojnë asnjë proces elektoral me Kryeministër Edi Ramën.

Kësisoj, pritet që edhe kjo fushatë zgjedhore të mos përqendrohet te kandidatët, por te kriza politike në vend, ku PS nga një anë është në konflikt me opozitën, ndërsa partitë e vogla në garë nuk kanë marrë një numër votash që të bëjnë diferencën, ose nuk janë testuar ende.

KANDIDATET E BINDJA DEMOKRATIKE PER BASHKITE

Korçë Leonard Olli

Kolonjë Fatjon Feka

Vlorë Valbona Mezini

Tiranë Arben Skënderi

Berat Pavllo Shkarpa

Dibër Shkëlzen Qoka

Kamzë Ylber Gjeta

Lezhë Salvador Kaçaj

Kavajë Bledar Sinella

Durrës Valdona Sakollari

Kukës Abedin Uruçi

Skrapar Devi Hebibasi

Bulqizë Ilir Balla

Tropojë Edison Hasanaj

Kurbin Edmond Piroli

M. e Madhe Pjerin Spathari

Tepelenë Gëzim Malko

Këlcyrë Shkëlqim Muho

Shijak Arben Pohumi

Gramsh Sabri Ibrahimi

Cërrik Merita Xhika

Panorama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re