Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosën të ndryshojnë pjesërisht praktikën unifikuese për caktimin e masave të sigurisë. Gjykata ka detyrimin të arsyetojë se perse masat alternative janë të papërshtatshme për t’u caktuar. Në lidhje me rrezikshmërinë e personit Kolegjet e Bashkuara ndajnë qëndrimin se gjykatat duhet të analizojnë personalitetin e personit. Rrezikshmëria e personit mund të nxirret nga rrezikshmëria e veprës apo masa e dënimit

VIJIM
Për miratimin e një vendimi të ri kërkohet vota pro e shumicës së gjyqtarëve, në kuadër të iniciativës së ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Në arsyetimin e tij, ai sjell në vëmendje disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mes të cilëve edhe rasti i Thoma Gëllçit, ish-drejtor i përgjithshëm i televizionit publik shqiptar, ku mbajtja në arrest me burg u konsiderua shkelje e të drejtave themelore.

Në dokumentin e firmosur prej Sadushit theksohet se privimi nga liria duhet të mbështetet në disa kushte thelbësore, si: ekzistenca e dyshimeve të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale, rrezikshmëria që paraqet personi, mundësia e shmangies nga drejtësia, si dhe rreziku për prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve.

Kolegjet e Bashkuara do t’i japin përgjigje një pyetjeje thelbësore: a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit” si kriter për caktimin e masës “arrest në burg”, vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, rëndësia e saj apo marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit? Pikërisht në këtë pikë qëndron edhe thelbi i debatit, pasi një ndryshim i mundshëm mund të krijojë hapësira që në të ardhmen zyrtarë të lartë të pretendojnë mungesë rrezikshmërie dhe, për rrjedhojë, të kërkojnë lirimin nga paraburgimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re