SHKUP– Ka nisur takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup ku do të diskutohet për Planin e Ri të Rritjes që Komisioni Europian ka futur tanimë në axhendën BE.

Fokusi i diskutimeve do të jetë paketa prej 6 miliardë eurosh që BE do të japë si mbështetje për Ballkanin Perëndimor. Paketa do të shfrytëzohet përgjatë 3 viteve, nga viti 2024 deri në 2027.

Të pranishëm në takim janë kreu i qeberisë shqiptare, Edi Rama, kryeminsitrii  Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Presidneti serb Aleksandër Vuçiç, dihmësi i Sekretarit të Shtetit James O’Brien, dhe kreu i BDI Ali Ahmeti. Ndërsa Bosnjë Hercegovina përfaqësohet nga ministri i Financave.

Kreu i qeverisë shqiptare para nisjes së takimit dha një mesazh në hyrje të Samitit. Ai e cilësoi Planin një hap të rëndësishme, pasi siç tha ai më herë ka qenë i mundur vetëm për vendet e Bashkimit Evropian dhe jo shtetet që s’janë pjesë e BE-së, si ato të Ballkanit Perëndimor.

10:15 –Takimi i liderëve të rajonit në Shkup, O’Brien: SHBA mbështet planin e BE-së, qytetarët do t’i ndiejnë leverditë

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien ka deklaruar sot nga Shkupi se SHBA e mbështet Planin e Ri të Rritjes që Komisioni Europian ka futur tanimë në axhendën e BE, për të mbështetur integrimin e përshpejtuar të rajonit në Tregun e Përbashkët Europian, si edhe financimin e prioriteteve tona ekonomike.

Nga tyreza e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE ai tha se shpresojnë të arrijnë ndryshim që do t’i ofrojë mundësi qytetarëve të rajonit.

James O’Brien: Ne i mbështesim aspiratat dhe asnjëherë nuk kemi qenë më afër. Përparimi na çon edhe më afër arritjes së qëllimeve. BE shpesh ka inovacione. Çdo shtet do ta bëjë punën praktike dhe qytetarët do t’i ndiejnë leverditë. SHBA e mbështet idenë, ne kemi shpenzuar rreth 200 milionë dollarë ndihmë për këtë rajon dhe do të mbetemi të përkushtuar në këtë aspekt. Por tani jemi fokusuar në faktin që vendin ta përfshijmë në tregun e vet.

Fillimisht do të identifikojmë nisma që do të jenë të dukshme për qytetarët në rajon. Kemi filluar diskutime për ide të tjera, siç është prodhimi i energjisë. Për disa muaj do të kemi nisma të prekshme, duam të zhvillojmë idetë. Shumë prej proceseve për të cilat njerëzit si ne flasin në takime të tilla tingëllojnë shumë abstrakte. Por janë ide për grupe njerëzish që do t’i realizojnë këto nisma. Këtë do ta bëjmë në mënyrë transparente

10:00 – Plani mbi rritjen ekonomike, Rama nga Shkupi: Hap i rëndësishëm, projekti deri tani i mundur vetëm për vendet e BE-së

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, i cili ndodhet në Shkup ka dhënë një mesazh në hyrje të takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE, SHBA e institucioneve financiare ndërkombëtare, mbi Planin e Ri të Rritjes që Komisioni Europian ka futur tanimë në axhendën BE.

Plani synon të mbështesë integrimin e përshpejtuar të rajonit tonë në Tregun e Përbashkët Europian, si edhe financimin e prioriteteve tona ekonomik.

Rama e cilëson një hap të rëndësishëm, pasi ky Plan deri tani ka qenë i mundur vetëm për vendet e Bashkimit Evropian dhe jo për shtetet jo anëtare siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Edi Rama: Më duhet të them se ky është vërtetë një takim shumë i rëndësishëm, sepse ne jemi këtu për të bashkuar mendimet tona me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe administratës amerikane për hapin e madh që ne mundemi dhe duhet të ndërmarrim, që është t’i afrohemi më shumë Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për planin e rritjes dhe integrimin në tregun ndërkombëtar.

Kjo e fundit deri tani ka qenë e mundur vetëm për shtetet pjesë të Bashkimit Europian. Prandaj është një ndryshim i rëndësishëm dhe një mundësi e shkëlqyer, e cila nuk duhet humbur dhe prandaj është esenciale që ne t’ia dalim të punojmë së bashku, të gjashtë shtetet e Ballkanit, është esenciale që ne të vëmë qytetarët tanë të parët dhe të lëmë politikën dhe historinë për më pas, sepse çfarëdolloj gjëje që do të bëjmë dhe nëse do mundemi t’i bëjmë gjatë kësaj kohe për të përfunduar gjërat në muajt në vijim, do të përcaktojnë sesi do të jenë vendet tona në fund të kësaj dekade./ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re