Një tërmet i fuqishëm ka goditur një zonë të gjerë në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë, duke vrarë më shumë se 500 njerëz dhe duke bllokuar shumë të tjerë.

Lëkundjet fatale zgjatën rreth një minutë dhe u ndjenë deri në Qipro, Egjipt dhe Liban. Shërbimi Gjeologjik i SHBA tha se tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 me orën lokale në një thellësi prej 17.9 km (11 milje) pranë qytetit të Gaziantep.

Të paktën 284 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,300 janë plagosur në Turqi. Në Siri, të paktën 237 njerëz u vranë dhe 639 u plagosën, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar një zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ekziston frika se numri i të vdekurve do të rritet ndjeshëm në orët në vijim. Shumë ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit janë vendosur për të kërkuar të mbijetuarit nën grumbuj të mëdhenj rrënojash.

Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se janë prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis.

12:03: NATO, BE dhe më shumë se 40 vende i ofrojnë ndihmë Turqisë pas tërmetit vdekjeprurës

Qeveria turke ka marrë ndihma nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Bashkimi Europian dhe 45 vende pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë jugore herët të hënën.

Lajmin e bëri të ditur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një fjalim televiziv të hënën, duke shtuar se të paktën 912 persona kanë vdekur në vend pas tërmetit me magnitudë 7.8 ballë.

5,385 persona të tjerë janë plagosur dhe më shumë se 2,400 njerëz janë shpëtuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Udhëheqësi turk tha se rreth 2,818 ndërtesa të shkatërruara.

11:41: Turqia nuk gjen qetësi, përsëriten lëkundjet e orëve të para të mëngjesit

Turqia nuk po gjen qetësi sa i përket lëkundjeve të tërmetit. Pas atij të orëve të para të mëngjesit me magnitudë 7.8 që shkaktoi dëme kolosale, ka pasur mbi 60 pasgoditje, të cilat duket se po vinin në rënie dhe po normalizonin situatën.

Vetëm pak minuta më parë, zona juglindore është lëkundur sërish ashtu si në orët e para të mëngjesit pasi ka rënë një tjetër tërmet me magnitudë 7.77 me epiqendër në qytetin e Kahramanmaraşit.

Kështu situata bëhet edhe më e vështirë dhe paparashikueshme për orët në vijim.

11:38: Tërmeti i fuqishëm në Turqi, Scholz: Jemi pranë popullit turk!

Kancelari Olaf Solz shprehu dhimbjen e tij për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri dhe u zotua të dërgojë ndihma në zonat e prekura.

“Numri i të vdekurve është ende në rritje. U shprehim ngushëllime të afërtme dhe lutemi për personat e bllokuar në rrënoja. Ne do të dërgojmë ndihmë, tha kancelari gjerman në një mesazh në Twitter.

11:28: Tre ditë më parë, si eksperti holandez parashikoi tërmetin në mënyrë të frikshme në Turqi

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore këtë të hënë, i cili rrëzoi shumë ndërtesa dhe i mori jetën 912 personave.

Tërmeti, i ndjerë deri në Kajro, u përqendrua në veri të qytetit të Gaziantep, rreth 90 kilometra (60 milje) nga kufiri sirian.

Sipas Google Maps, Gaziantep ndodhet afërsisht 11 orë larg rajonit të Detit Egje dhe 12 orë nga Marmara, ku një tërmet masiv u parashikua në dhjetor 2022 nga një ekspert tërmetesh.

11:20: Bilanc lufte nga tërmeti në Turqi, shkon mbi 1000 numri i viktimave

Rritet me ritme të frikshme numri i viktimave si pasojë e tërmetit shkatërrues në juglindje në Turqisë dhe veriun e Sirisë.Raportohet se numri i viktimave tanimë i ka kaluar 1000, ndërsa të plagosur janë rreth 3 mijë deri më tani.

Ky numër për fat të keq pritet të rritet në orët në vazhdim, ndërsa po ashtu më shumë se 1000 banesa janë shkatërruar.

11:15: Ndodh mrekullia, 4 fëmijë nxirren të gjallë nga rrënojat e një pallati në Turqi

Pamjet dramatike të shpëtimit të katër fëmijëve nga rrënojat e një ndërtese apartamentesh në Hatay, Turqinë juglindore pas tërmetit vdekjeprurës 7.8 ballë po bëjnë xhiron e rrjetit.

Tërmeti vdekjeprurës me më shumë se 670 të vdekur në Turqi dhe Siri, goditi dhjetë qytete në rajonin Kahramanmara të Turqisë, përfshirë Hatajin, ku shumë ndërtesa u shembën, por një familje pati fat.

10:48: Tërmeti vdekjeprurës/ Deputeti turk: Dy vëllezërit, motra ime dhe fëmijët e tyre janë nën rrënoja

Fatkeqësia e tërmetit që tronditi Turqinë shkaktoi shkatërrime të mëdha edhe në Hataj. Deputeti i Partisë AK në Hatay, Hüseyin Yayman tha se dy vëllezërit dhe motra e tij më e madhe ishin nën rrënoja, sipas mediave turke.

“Fatkeqësisht, tërmeti dhe fatkeqësia që ndodhi është e madhe. Zoti e ndihmoftë kombin tonë. Dy vëllezërit dhe motra e mia janë ende nën rrënoja dhe ne ende nuk kemi marrë asnjë informacion prej tyre.

Jemi në Hataj dhe nuk mund t’i arrijmë. Presim lajme të mira edhe nga të gjithë bashkatdhetarët e mi.

10:42: Rritet numri i viktimave, rreth 700 të vdekur nga tërmeti vdekjeprurës

Të paktën 670 persona janë raportuar të vdekur në Turqi dhe Siri pas tërmetit të madh të së hënës me magnitudë 7.8 ballë. Në Siri, raportohet për 386 viktima duke përfshirë 239 kryesisht në rajonet e Alepos, Hama, Latakia dhe Tartus.

Grupi “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, raportoi gjithashtu të paktën 147 viktima në zonat e kontrolluara nga opozita në veriperëndim të Sirisë.

Qindra njerëz të tjerë u plagosën gjithashtu pas tërmetit, me 648 të plagosur në Aleppo, Hama, Latakia dhe Tartus. 340 të tjerë u raportuan gjithashtu në zonat e kontrolluara nga opozita, shtuan Helmetat e Bardha.

10:37: Elon Musk bën një ofertë për Turqinë pas tërmetit tragjik, qeveria e refuzon

Qeveria turke ka refuzuar propozimin e Elon Musk për të dërguar shërbimin satelitor në Turqi pas tërmetit të fortë.

Musk tha në Twitter se një nga kompanitë e tij, Space Exploration Technologies Corp., mund të sigurojë rrjetin Starlink, plejada e satelitëve me orbita të ulëta, sapo qeveria turke të japë miratimin.

10:29: VIDEO/Momenti kur një fëmijë shpëtohet nga rrënojat e tërmetit

Turqia dhe Siria po jetojnë një tragjedi të paimagjinueshme pas tërmetit të fuqishëm prej 7.8 Rihter që goditit vendet në orët e para të mëngjesit. Mbi 500 viktima janë raportuar deri më tani dhe mijëra të plagosur.

Ndërkohë mediat dhe rrjetet sociale janë mbushur me pamje nga tërmeti vdekjeprurës. Së fundmi Reuters ka postuar një video, ku ekipet e shpëtimit nxjerrin nga rrënojat një fëmijë.

10:25 Shqipëria solidarizohet me Turqinë/ Ekip shpëtimi drejt zonave të prekura

Shqipëria do të dërgojë një ekip shpëtimi drejt zonave të prekura nga tërmeti tragjik në Turqi. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i qeverisë Edi Rama, përmes një postimi në twitter, ku shpreh ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti I fuqishëm në Turqi “I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi” -shkruan Rama.

10:04: Turqia e tronditur nga tërmeti, pezullohen organizatat kombëtare sportive

Ministri i Rinisë dhe Sporteve, Mehmet Muharrem Kasapoglu ka njoftuar se të gjitha organizatat kombëtare sportive janë pezulluar deri në një deklaratë të dytë pas tërmetit shkatërrues që preku vendin.

Tërmeti me epiqendër në juglindje të Turqisë dhe në veri të Sirisë ishte më i fortë në 100 vitet e fundit me magnitudë 7.8.

09:57: VIDEO/ Tërmeti i fuqishëm në Turqi: “Na ndihmoni për hir të Allahut”, ish-portieri legjendar Demirel bën thirrje për ndihmë mes lotëve

Legjenda e portës së Turqisë dhe klubit Fenerbahce, trajneri aktual i klubit turk Hatayspor, Volkan Demirel, ka kërkuar ndihmë mes lotëve në një video live në rrjetin e tij social.

Volkan Demirel, i cili është trajneri i Hatayspor, nuk ka mundur t’i kontrollojë lotët pas shkatërrimit në qytet dhe ka bërë thirrje për ndihmë. Ai ka bërë thirrje që të gjithë të ndihmojnë me aq sa munden pas kësaj katastrofe natyrore.

09:49: Tërmeti i fuqishëm në Turqi, shembet kalaja shekullore në Gaziantep

Kalaja e Gaziantepit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Turqi, është shembur pas tërmetit të fuqishëm dhe pasgoditjeve që tronditën jugun e vendit mëngjesin e të hënës.

“Disa nga bastionet në pjesët lindore, jugore dhe juglindore të Kalasë historike të Gaziantepit në rrethin qendror të Şahinbeut u shkatërruan nga tërmeti”, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu”.

Sipas gërmimeve arkeologjike, kalaja u ndërtua për herë të parë si kullë vrojtimi në periudhën romake në shekujt II-IV pas Krishtit dhe u zgjerua me kalimin e kohës.

09:28: “Deri në 10 mijë”, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së parashikon numrin e viktimave nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi

Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë jugore herët të hënën mund të arrijë deri në 10,000 persona, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), shkruan CNN.

Sipas vlerësimeve të saj, USGS tha se ka një shans 47% që numri i viktimave të arrijë midis 1,000 dhe 10,000 njerëz, ndërsa ka një shans 27% që të arrijë midis 100 dhe 1,000 dhe një shans 20% që të arrijë midis 10,000 dhe 100,000.

Vlerësimet e USGS-së vijnë nga modelimi i bazuar në tërmetet historike në rajon, popullsia e ekspozuar ndaj lëkundjeve më të rënda dhe cenueshmëria e strukturave në zonat më të goditura.

09:27: Tërmeti në Turqi/ Deri më tani mbi 40 pasgoditje, ja çfarë paralajmërohet për ditët në vazhdim

Pasgoditjet e tërmetit shkatërrues në Turqi dhe Siri mund të zgjasin për ditë edhe javë, ka paralajmëruar një inxhinier kërkimi dhe shpëtimi. Duke folur për Sky News, Mark Scorer tha se shtatë ditët e ardhshme do të jenë “kritike për gjetjen e jetëve nën rrënoja”.

Ai shtoi se ekipet do të duhet të jenë të vetëdijshëm për goditjet pasgoditëse në çdo moment, pasi do të ketë edhe të tjera shembje banesash.

09:19: Banesa të kthyera në rrënoja dhe njerëz nën to, temperaturat e ulëta dhe dëbora pengojnë përpjekjet e shpëtimit

Kushtet e këqija atmosferike kanë të ngjarë të pengojnë përpjekjet e shpëtimit dhe rimëkëmbjes pas tërmetit shkatërrues në Turqinë jugore dhe Sirinë veriore. Temperaturat janë nën zero dhe në vazhdim pritet të ketë reshje shiu dhe dëbore në provincën e Gaziantep të Turqisë.

Pavarësisht kushteve, zyrtarët u kanë kërkuar banorëve të lënë banesat  e tyre, pasi pritet pasgoditje të tjera.

09:14: Liderët botërorë shprehin ngushëllimet dhe ofrojnë ndihmë pas tërmetit vdekjeprurës në Turqi

Mesazhet e ngushëllimit dhe të mbështetjes ishin të shumta teksa  liderët botërorë u zgjuan me lajmin e tërmetit vdekjeprurës që goditi Turqinë dhe Sirinë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllimet e tij për viktimat në Twitter dhe ofroi ndihmë.

“Ne jemi me popullin e Turqisë në këtë kohë të vështirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme për të kapërcyer pasojat e fatkeqësisë,” tha Zelensky.

Në një mesazh po ashtu në Twitter, kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte “i shqetësuar nga numri i viktimave dhe dëmtimi i pronës” nga tërmeti.

09:09: Tërmeti në Turqi, Erdogan: Jemi pranë qytetarëve!

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka reaguar pas tërmetit që goditi vendin dhe shkaktoi shumë dëme dhe qindra të vdekur.

Presidenti shprehu solidaritetin e tij me të prekurit nga tërmeti me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter që tronditi Turqinë. Ai premtoi se do të vërë në dispozicion të gjitha mjetet për kërkimin e të mbijetuarve nën rrënoja.

“Me të gjitha mjetet e shtetit tonë jemi në krah të qytetarëve tanë të prekur nga tërmeti. Ne kemi ndërmarrë hapa për të nisur punën e nevojshme në rajon me të gjitha institucionet dhe ministrat tanë, tha Erdogan në Twitter.

09:02: VIDEO/ Shkaktoi dëme kolosale, momenti kur Turqia goditet nga tërmeti

Turqia është zgjuar e tronditur mëngjesin e sotëm, pasi një juglindje të vendit është regjistruar tërmeti më i fuqishëm në 100 vitet e fundit.

Tërmeti me magnitudë 7.8 ballë u ndje në gjysmën e Turqisë, ndërsa dëmet në njerëz dhe infrastrukturë janë kolosale.

08:53: Tërmeti me mbi 500 të vdekur, ekipe shpëtimi nga Holanda dhe Rumania drejt Turqisë

Ekipet e shpëtimit nga Holanda dhe Rumania janë tashmë në rrugën drejt Turqisë për të dërguar ndihma pas tërmetit shkatërrues, tha të hënën komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave.

“Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të BE-së po koordinon vendosjen e ekipeve të shpëtimit nga Europa”, njoftoi Janez Lenarcic në Tëitter.

“Ekipet nga Holanda dhe Rumania janë tashmë në rrugën e tyre,” shtoi ai, duke shprehur solidaritetin me Turqinë “në prag të tërmetit shkatërrues”.

08:46: FOTO/ Pamje rrëqethëse nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi

Dalin pamjet rrëqethëse pas tërmetit me magnitudë 7.8 Rihter që goditi rajonin juglindor të Turqisë dhe disa provinca në Siri në orët e para të mëngjesit.

Pallate të shkatërruara, njerëz të gjakosur dhe ekipe shpëtimi në punë, janë imazhet tronditëse që vijnë nga Turqia në këto momente kur raportohen mbi 500 viktima dhe qindra të lënduar.

08:34: Shkon mbi 500 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi, mbi 2000 të plagosur

Më shumë se 500 njerëz janë vrarë në dy vende, Turqi dhe Siri pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore herët të hënën. Të paktën 284 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,300 janë plagosur në Turqi, sipas nënpresidentit të vendit Fuat Oktay.

Në Siri, të paktën 237 njerëz u vranë dhe 639 u plagosën, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar një zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.

08:24: VIDEO/ Lëkundjet e forta të tërmetit në Turqi, ndahet në mes pista e aeroportit

Në Hatay, një nga provincat e prekura nga tërmeti me magnitudë 7.8, është dëmtuar pista e aeroportit. Në pamje duket çarje dhe ngritje e asfaltit.

Si pasojë e tërmetit deri më tani raportohet për mbi 300 viktima, në Turqi dhe Siri.

08:14: Tërmeti në Turqi, Zelensky: Ukraina e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij ishte i gatshëm të ofronte ndihmën e nevojshme për popullin turk pas tërmetit që goditi vendin të hënën.

“I tronditur nga lajmi për vdekjen dhe plagosjen e qindra personave si pasojë e tërmetit në Turqi. I shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe i urojmë të lënduarve shërim të shpejtë.

Ne jemi në këtë moment pranë popullit mik turk, të gatshëm për të ofruar ndihmën e nevojshme,” tha Zelensky në një mesazh në Twitter.

08:07: Tërmeti në Turqi/ Rritet numri i viktimave, lëshohet alarmi për ndihmë urgjente ndërkombëtare

Është rritur numri i vikamave si pasojë e tërmetit shkatërrues në zonën juglindore të Turqisë, që ka prekur edhe veriun e Sirisë. Deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 300 persona, dhe shumë të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Tërmeti ishte më i fuqishme i shekullit të fundit, duke kaluar edhe atë të vitit 1999 në Marmara, 7.4 Rihter, ndërsa i sotme ishte 7.8 Rihter.

07:38: Një 1999-të e dytë? Çfarë solli tërmeti shkatërrues 24 vite më parë në Turqi

Turqia ditën e sotme është zgjuar e tronditur pasi në njëjuglindje të vendit, një tërmet me magnitudë 7.8, ka sjellë dëme kolosale në njerëz, ku deri më tani raportohet për mbi 200 të vdekur dhe rreth 1000 të plagosur.

Po ashtu janë kthyer në rrënoja banesa, pallate e qendra tregtare.

Tërmeti mësohet se ka zgjatur rreth 45 sekonda dhe në Turqi një tërmet sinonim ka ndodhur edhe 24 vite më parë, i cili mori 17 mijë jetë njerëzish.

07:25: VIDEO/ Mbi 1000 të plagosur dhe qindra të vdekur, çfarë ka lënë pas tërmeti i fuqishëm në Turqi

Turqia dhe jo vetëm është ngritur e tronditur mëngjesin e sotëm pasi një tërmet i fuqishëm 7.8 Rihter ka goditur Turqinë juglindore duke shkaktuar qindra të vdekur dhe mbi 1000 të plagosur.

Tërmeti e ka pasur epiqendrën  në qytetin Gaziantep, por është ndjerë në shumë zona përreth si edhe Siri ku ka shkaktuar edhe viktima.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re